4 gusht 2013 – Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) sot mbajti konferencë për media, ku u publikua analiza e shkurtër e situates momentale në sektorin e energjisë e titulluar “Hesapi i rrymës”. Kjo analizë është e para në radhën e një serie botimesh që KOSID është duke i përgatitur, e që kanë për qëllim propozimin e politikave konkrete për zgjidhjen e çështjes së përballueshmërisë së faturave të rrymës, nga ekonomitë familjare në Kosovë.
Në këtë analize, KOSID ka analizuar arsyet prapa rritjes së çmimeve si dhe shpenzimet e energjisë elektrike në Kosovë. Gjithashtu, janë analizuar faktorë që e kanë mbajtur çmimin e energjisë elektrike të ulët në mënyrë artificiale. Kjo për disa arsye, si subvencionimet e qeverisë, mos-llogaritja e të gjitha kostove së prodhimit të energjisë elektrike, zhvlerësimi i aseteve të kapaciteteve gjeneruese etj. Më tej, kemi treguar se trendi i çmimeve të energjisë elektrike është në rritje, kush harxhon energjinë elektrike në Kosovë dhe kur harxhohet kjo energji. Në punim janë shqyrtuar edhe potenciali për masat e efiçiencës së energjisë dhe njëkohësisht jemi munduar të analizojmë se sa do të jenë faturat e energjisë elektrike të përballueshme për qytetarët e Kosovës.
Meqë çmimet do të rriten edhe më tej, ndërsa zhvillimi ekonomik i Kosovës nuk është në të njëjtin hap me rritjen e çmimeve, KOSID i rekomandon Qeverisë së Kosovës që t’i ndihmojë qytetarët, permes politikave publike adekuate, t’i ulin shpenzimet e panevojshme të energjisë elektrike, në mënyrë që faturat e ekonomive familjare të jenë të përballueshme për ta.
Për këtë qëllim, KOSID do të zhvillojë kërkime tjera të politikave publike, ku efiçienca në sektorin e ekonomive familjare do të jetë në fokus të studimit. KOSID do të rekomandojë ndryshime konkrete të politikave publike, duke përfshirë këtu masat stimuluese dhe ato ndëshkuese, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mund t’u bëjnë ballë faturave të energjisë elektrike.