Prishtinë, 20 janar 2015
Koalicioni i qytetarëve konsumatorë, sindikatave dhe organizatave joqeveritare, sot, më 20 janar 2015, ka dorëzuar peticionin kundër shtrenjtimit të çmimit të energjise elektrike pranë Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione.
Ky peticion i nënshkruar prej më shumë se 33 mijë qytetarëve u pranua nga znj. Lirije Kajtazi, kryetare e komisionit, e cila u shpreh, se peticioni do të analizohet me kujdes prej komisionit, pasi në të shprehen kërkesat dhe vullneti i shumë qytetarëve të pakënaqur me rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Në emër të koalicionit, Visar Azemi bëri të qartë se kërkesat e 33 mijë qytetarëve nuk duhen anashkaluar kurrsesi, pakënaqësia e tyre ndaj rritjes së çmimit të energjisë elektrike po shprehet në forma të ndryshme dhe ato nuk do të ndalen.
Në vazhdim, Azemi shtoi se gjendja ekonomike e qytetarëve të Kosovës është mjaft kritike. Si pasojë, kjo situatë mund të sjellë një bum social, ashtu sikurse është parë të ndodhë në vendet e rajonit, sikur në Bullgari etj.
Takimi me Komisionin Parlamentar shërbeu dhe si një moment në të cilin koalicioni i qytetarëve konsumatorë, sindikatave dhe organizatave joqeveritare informoi komisionin se të gjitha problemet e deritanishme me energjinë elektrike po vijnë si rezultat i mosfunksionimit të mirë të Zyres së Rregullatorit të Eneregjisë. Koalicioni konstaton se ZRRE është e ndikuar politikisht dhe për rrjedhoj interesat e qytetarëve nuk janë prioritet për të.
Në aspektin procedural, u sqarua, se qysh në momentin e pranimit të peticionit, Komisionit i duhen 2 javë kohë për ta paraqitë në Kuvend, ku do të thirren përfaqësues të ZRRE-së dhe përfaqësues prej Koalicionit qytetar.