10 Shtator, 2015 – Sot, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) në kuadër të Konsorciumit Kosovar të Organizatave të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) organizoi tryezën me titull ‘Financimi i Efiçiencës së Energjisë në Kosovë – Përfitimet dhe Pengesat’, me ç ‘rast u prezantua hulumtimi mbi këtë temë. Ky punim analitik shtjellon gjendjen aktuale të sektorit të energjisë në vend dhe e vë Efiçiencën e Energjisë në krye të politikave energjetike në Kosovë.
Në fjalën hyrëse, Blerand Stavileci – Ministër në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik u shpreh që kjo tryezë është e rëndësishme për shkak se po ndodhë në një moment kur edhe Ministria që ai udhëheq po vë një theks të veçantë në prezantimin dhe funksionalizimin e Fondit për Efiçiencë të Energjisë. Sipas Ministrit, Qeveria ka dy objektiva kryesore në sektorin e energjisë që janë: furnizimi i qëndrueshëm me energji si dhe përballueshmëria e çmimeve për konsumatorët. Rol kyç në këtë drejtim,sipas Stavilecit, luan edhe implementimi i masave efiçiente. Ministri Stavileci përmendi rastin e dy projekteve të mëdha me fokus në përmirësimin e Efiçiencës së Energjisë në ndërtesa publike, projekte këto të financuara nga Banka Botërore dhe KfW përderisa theksoi që Fondi për Efiçiencë të Energjisë do të ishte alternativa më e përshtatshme për të mbuluar edhe sektorin rezidencial dhe atë komercial që njëherit janë konsumatorët më të mëdhenj të energjisë në Kosovë.
Visar Azemi, Koordinator i Konsorciumit Kosovar të Organizatave të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), deklaroi që idea për prezantimin e Fondit të Efiçiencës së Energjisë ekziston që një kohë të gjatë mirëpo ka munguar përkrahja institucionale. Ai u shpreh se përfitimet nga investimi nëEfiçiencë të Energjisë janë të shumëfishta duke filluar nga ndikimi pozitiv në zhvillimin ekonomik, krijimi i vendeve të reja të punës, mbrojtja e ambientit etj., prandaj është e nevojshme që prezantimi i Fondit për Efiçiencë të Energjisë të jetë prioritet për Qeverinë aktuale.
Gjatë prezantimit të punimit “Financimi i Efiçiencës së Energjisë në Kosovë – Përfitimet dhe Pengesat’, të përgatitur nga INDEP, Gent Ahmetaj autor i punimit tha se ky është një punim informativ mirëpo punimi përmban rekomandime konkrete se si do të mund tëfunksionalizohej ky fond në rrethanat ekzistuese në vend.
Një ndër rekomandimet kryesore përfshin prezantimin enjë modeli se si do të funksiononte një Fond për Efiçiencë të Energjisë në Kosovë. Ndër të tjera, INDEP rekomandon që Fondi për Efiçiencë të Energjisë duhet të jetë Fond qarkullues(revolving fund),i cili do të gëzonte statusin e vet juridik. Ky fond do të vinte në lëvizje dy masa të menjëhershme, mekanizmin për shpërndarjen e shërbimeve të Efiçinecës së Energjisë dhe mekanizmin për monitorimin dhe vlerësimin e kursimeve të realizuara. Duke pasur parasysh që Kosova po përjeton një rritje të vazhdueshme të kërkesës për energji, lind nevoja për ndërmarrjen e hapave konkret të cilat mundësojnë lehtësira për implementim të masave të efiçiencës së energjisë, shfrytëzim më të mirë të energjisë si dhe përmirësim të gjendjes energjetike në vend.
Në tryezë ishin përfaqësues të ambasadave dhe organizatave ndërkombëtare, përfaqësues të organizatave lokale dhe një numër i madh i mediave dhe grupe të ndryshme të interesit.
Punimin analitik mund ta gjeni të bashkangjitur KËTU.
Tryeza në fjalë është financuar nga Rockfeller Brothers Fund.