2 Dhjetor, 2015 – Qeveria e Kosovës duhet të anulojë planet e saj për ndërtimin e termocentralit të propozuar me ndezje të qymyrit “Kosova e Re”, sipas një rishikimi të ri të projektit nga Instituti për Analiza Financiare dhe Ekonomike të Energjisë (IEEFA).
IEEFA, një organizatë hulumtuese e bazuar në SHBA, e cila ka studiuar financat e shumë termocentraleve me qymyr në SHBA dhe në shtete tjera, është duke punuar me Konsorciumin Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) për të hulumtuar ndikimin financiar dhe ekonomik të termocentralit të propozuar me qymyr.
“Termocentrali, nëse ndërtohet, do të shkaktonte rritjen e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë në nivele të paarsyeshme dhe do të vendoste barrë të panevojshme në ekonominë e Kosovës, bizneset dhe banorët e saj,” thotë Visar Azemi, koordinator i KOSID-it. “Banka Botërore dhe bankat tjera qeveritare janë duke shqyrtuar një subvencionim substancial financiar për termocentralin me qymyr, për arsye ekonomike dhe financiare ata në vend të këtij termocentrali do të duhej të investonin në përkrahjen e zhvillimit të energjisë së ripërtëritshme dhe efiçiencës së energjisë në Kosovë.”
Termocentrali i propozuar me bazë qymyrin “Kosova e Re” ka qenë në shqyrtim për më shumë se një dekadë. Madhësia dhe fushëveprimi i projektit kanë ndryshuar vazhdimisht pasi investitorët nuk u gjenden. Qeveria e Kosovës njoftoi për një konfigurim të ri për një termocentral pak më të vogël vetëm dy javë më parë, por pak detaje janë bërë publike.
“Gjetjet tona preliminare tregojnë se ndërtimi i termocentralit me qymyr “Kosova e Re” do të shkaktojë rritjen e tarifave elektrike në Kosovë deri në pesëdhjetë përqind – në një shtet popullata e të cilit tashmë veç është duke paguar tepër shumë për rrymë elektrike në raport me të ardhurat e tyre,” thotë Tom Sanzillo, Drejtor i Financave i IEEFA-s.
IEEFA ka zhvilluar një model të tregut që mund të përdoret për të përcaktuar se sa iu duhet popullit të Kosovës të ndajnë nga buxheti i familjes për të paguar për termocentralin e ri nëse ai do të ndërtohet. Pasi të bëhen publike detaje shtesë financiare dhe të kostos së propozimit të fundit (me gjasë deri në Janar 2016) IEEFA do të publikojë një raport të plotë të bazuar ne modelin e tij të tregut.
Hulumtimet e IEEFA-s tregojnë se një seri faktorësh të rëndësishëm të riskut e bëjnë të mundshme që kostoja e termocentralit do të mund të ishte shumë më i lartë sesa ajo që është përmendur nga qeveria e Kosovës. Këta faktorë përfshijnë:
- Termocentrali ka vetëm një ofertues, një kompani e bazuar në SHBA ‘Contour Global’, e cila siç duket është duke kërkuar një normë të brendshme të lartë kthimi për 30% të investimit të kapitalit që është propozuar për termocentralin. Përdorimi i një ofertuesi të vetëm paraqet risqe të shumta financiare për projektin dhe tregon se është kandidat i dobët për investim.
- Kredia e nevojshme për financimin e projektit, e çfarëdo vlere apo kushtesh, është paarsyeshmërisht e madhe për sistemin bankar në Kosovë dhe do ta detyronte sistemin ta tejkalojë standardin e kredisë së huasë në raport me depozitat. Kjo do ta ngadalësojë rritjen ekonomike në Kosovë, do të rrisë normat e interesit dhe do ta bëj Kosovën jo atraktive për investitorët e huaj.
- Banka Botërore dhe institucionet e huaja financiare ndërkombëtare duhet të ndajnë subvencione të mëdha – mbi 3 miliardë $ — për të ulur normën e interesit për termocentralin. Edhe me këtë nivel të lartë të subvencioneve, banorët e Kosovës prapëseprapë do të paguajnë tepër shumë për rrymën elektrike. Subvencionet do të duhej të rriteshin edhe më shumë për ta bërë termocentralin me qymyr të përballueshëm për kosovarët. Kostot do të barten jo proporcionalisht nga të varfërit, dhe as Banka Botërore e as qeveria e Kosovës nuk e kanë vlerësuar ndikimin e kostos së termocentralit për kosovarët.
- Kostot e ofrimit të rrymës elektrike do të jenë shumë më të larta nëse kostot e ndërtimit ngritën dhe nëse termocentrali ka probleme operacionale që i shkaktojnë atij të operojë me kapacitet më të ulët se sa pritet (raportet e mëparshme kanë vlerësuar se termocentrali do të operonte me një faktor kapaciteti paarsyetueshëm optimist prej 85% posa të hyjë në funksionim).
- Projektet e ndërtimit dhe mihjes të nevojshme për të ndërtuar termocentralin përballen me shumë risqe financiare në Kosovë, si rezultat i kundërshtimit publik të zhvendosjes së detyruar të banorëve në komunitet, ndotjes së rritur të ajrit, dhe tarifave më të larta të rrymës elektrike.
- Planet e mëparshme për termocentralin e ri janë bazuar në supozimet në rritjen ekonomike dhe energjetike të cilat kanë dështuar të materializohen. Nëse termocentrali i ri nënperformon për shkak se ekonomia nuk rritet, energjia elektrike nga termocentrali do të bëhet edhe më e shtrenjtë.
IEEFA po ashtu ka ndarë edhe këto pikëpamje lidhur me propozimin e fundit për termocentralin “Kosova e Re”:
- Përkundër më shumë se një dekade diskutimi publik për këtë projekt, asnjë bankë investuese apo grup i bankave investuese nuk është paraqitur me ndonjë pako për financimin e kredisë për projektin. Njoftimi i fundit i qeverisë gjithashtu nuk përfshiu ndonjë listë të bankave private apo publike me përkushtime të vendosura financiare apo plan për të gjetur financimin me një datë të saktë. Kjo e lë qeverinë e Kosovës të varur nga huadhënësit e sponsorizuar nga qeveria për subvencione të mëdha dhe është një tregues që marrëveshja nuk vlefshme në aspektin kreditor.
- Deklaratat e fundit të përkrahjes politike për projektin nga Banka Botërore dhe Thesari i SHBA-ve nënkupton se këto burime financiare me xhepa të thellë qëndrojnë prapa projektit. Kjo e rrit gjasën që kostot e projektit ‘Kosova e Re’ do të jenë të larta, pasi palët e interesit në procesin e zhvillimit e shfrytëzojnë këtë përkrahje politike për avantazhe financiare.
- Edhe pse përmirësime të konsiderueshme janë bërë në proceset e menaxhimit të faturimit, inkasimit, dhe humbjeve në sistemin e energjisë elektrike, sistemi megjithatë vazhdon të vuajë nga të hyrat e humbura për shkak të kontrolleve të dobëta të menaxhmentit. Mungesa e të hyrave dhe kontrollet e brendshme të dobëta shkaktojnë probleme të rënda në rrjedhën e parasë dhe rrezikojnë ripagesën për investitorët e kapitalit dhe huadhënësit.
- Studimet që janë bërë deri me tani për termocentralin e propozuar nuk ofrojnë të dhëna teknike konsistente, të detajuara, relevante dhe me kohë për menaxhimin e ndërtimit, financiar, operacional, energjetik, dhe të shërbimeve apo statistika sociale të nevojshme për të formuluar masat bazike apo parashikimet. Studimet, të cilat asnjëherë nuk kanë shqyrtuar gamën e plotë të alternativave energjetike, po ashtu nënvizojnë faktin se sistemi energjetik i Kosovës nuk ka një sistem të uniformuar dhe të besueshëm të prezantimeve financiare me vendosjen transparente të tarifave, kostos dhe raportimin e të hyrave. Njoftimi i fundit i një propozimi të ri nënkupton se do të nevojiten para për më shumë raporte dhe studime.
“Banka Botërore dhe financuesit tjerë qeveritarë ndërkombëtarë janë të përkushtuar që t’i ndihmojnë të varfërit. Por ky termocentral – nën secilin prej skenarëve që janë propozuar deri me tani – do t’i bëjë të varfërit që të paguajnë më shumë për rrymën elektrike,” thotë Sanzillo. “Termocentrali po ashtu do ta dëmtojë, e jo ta ndihmojë, rritjen ekonomike duke i detyruar njerëzit të paguajnë kredi shumë të mëdha për dekada me radhë. Ky termocentral është një barrë e panevojshme, me një çmim të lartë, me kushte të paarsyeshme, me subvencione të mëdha dhe në fund me çmim më të lartë të energjisë elektrike për banorët e Kosovës.”
Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (www.kosid.org)
Instituti për Analiza Financiare dhe Ekonomike të Energjisë (www.ieefa.org)