Marrëveshja e arritur sot në mes të Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë Contour Global do të bllokoj Kosovën për 40 vitet e ardhshme në prodhimin e energjisë me bazë linjitin. I vetmi përfitim nga ky projekt do të jetë tymi dhe pluhuri i prodhuar si dhe degradimi i ambientit dhe shëndetit publik.
Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) në vazhdimësi ka kundërshtuar ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’ për shkak se ky projekt nuk do të siguroj pavarësi të furnizimit energjetik dhe do të minoj rrugetimin e vendit drejt proceseve integruese. Zgjidhja e problemeve në sektorin energjetik do të bëhej vetëm me adresimin e problemeve sipas prioriteteve, si, humbjet teknike dhe komerciale, masat e efiçiencës, diversifikimi i burimeve energjetike dhe funskionalizimin e tregut të liberalizuar.
Kjo marrëveshje po bëhet në mënyrën më jo-transparente të mundur, pa kurrfar konsultimi publik dhe pa vlerësimin e ndikimit mjedisor dhe social, që është parakusht nga institucionet financiare ndërkombëtare për projekte të tilla. Më tutje, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje e futë Kosovën në marrëdhënie kontraktuale që në rast dështimi Kosova do të dëmtohet edhe financiarisht.
Me këtë rast, duam të njoftojmë opinionin publik që me nënshkrimin e marrëveshjes komerciale, nuk përfundon procedura për fillimin e ndërtimit të termocentralit, por vetëm thellohet problemi dhe e bënë procesin edhe më kompleks.
KOSID bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që të bëjë publike marrëveshjen komerciale të nënshkruar për termocentralin ‘Kosova e Re’. Më saktësisht kërkojmë të bëhen të qarta detajet mbi atë se: Sa do të jetë çmimi i energjisë së prodhuar nga ky termocentral? A ka marrëveshje për blerjen e energjisë nga ky termocentral? Sa është periudha e kthimit të investimit dhe se kujt do ti faturohet kjo barrë? A do të sponzorizohet ky projekt nga buxheti i Kosovës? Çfarë obligimi ka Kosova pas marrëveshjes, në rast se dështon kjo marrëveshje?
Vlerësojmë se me një proces jo-transparent dhe të fshehtë, e vetmja që mund të garantohet është thellimi i varfërisë energjetike, i izolimit dhe i degradimit të mëtejmë të mjedisit dhe shëndetit public, si dhe varferimit te buxhetit familjar të qytetarëve të Kosovës.