Prishtinë, 10 Maj, 2018 – Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), organizoi tryezën diskutuese me temën “E ardhmja e Sektorit të Energjisë në Kosovë.” Përgjatë tryezës u vlerësua se meqenëse energjia konsiderohet si një prej sektorëve më thelbësor në politikat publike dhe duke e parë efektin e drejtëpërdrejtë në mirëqenien e përgjithshme të qytetarëve të vendit dhe buxhetin e Kosovës, përfshirja në diskursin publik të kësaj teme mbetet e rëndësisë së veçantë.
Në fjalën hyrëse, Koordinatori i KOSID, z.Visar Azemi tha se zgjidhja e problemeve në sektorin energjetik është e mundur vetëm përmes adresimit të problemeve sipas prioriteteve, si, humbjet teknike dhe komerciale, masat e efiçiencës, diversifikimi i burimeve energjetike dhe funskionalizimin e tregut të liberalizuar. “KOSID dhe partnerët e saj po vazhdojnë të shtyejnë përpara rëndësinë e eksplorimit të të gjitha burimeve të ripërtëritshme të energjisë që mundësojnë decentralizim të gjenerimit të energjisë dhe diversifikim të burimeve energjetike. Ne konsiderojmë që në vend të insistimit për të investuar në linjit, Kosova duhet të fokusohet në investime në efiçiencën e energjisë si burim shtesë i energjisë, në promovimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme dhe në agjendën evropiane të integrimit,” tha Azemi.
Më pas fjalën mori Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i cili tha se është esenciale zhvillimi i mirëfilltë i planeve afatgjate dhe se zhvillimi i sektorit të energjisë dhe inkorporimi i politikave të gjelbra në vend janë pjesë kyçe e agjendës së Ministrisë. Lluka tha se: “Nuk mund t’i anashkalojmë sfidat ekzistuese në sektorin e energjisë, ku ballafaqohemi me furnizim jo stabil të energjisë, rënie të kohë pas kohshme të blloqeve, humbje të larta teknike dhe komerciale, etj. Andaj, MZHE fokus kryesor ka kapërcimin e barrierave të tilla, duke punuar drejt funksionalizimit të linjës transmetuese ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ndërtimin i TC “Kosova e Re”, si dhe zbatimin i marrëveshjes me Serbinë në sektorin e energjisë – rrugë të cilat çojnë drejt zgjidhjeve të problemeve energjetike në vend. Megjithatë, MZHE ofron hapësirësirë edhe për integrimin e burimeve të ripërtëritshme dhe efiçiencën e energjisë, si dhe i konsiderojmë si shtylla të rëndësishme për Kosovën duke theksuar mundësitë që ofrojnë për zhvillim të përgjithshëm ekonomik dhe social.”
Kurse, Lulzim Syla nga kompania ELEN, përfaqësues nga sektori i biznesit, tha se çdo vit bizneset kanë humbje deri në 300 milionë euro si pasojë e mosfurnizimit të rregullt me energji – andaj, duhet theksuar integrimin e duhur të energjive alternative në Kosovë për të minimizuar këto humbje. “Pikërisht për këtë arsye, është marrë iniciativa e formimit të kllasterit të industrisë së metalit dhe energjisë së ripërtëritshme në vend, i cili ka për qëllim promovimin e furnizimit të energjisë së ripërtëritshme si zgjidhje alternative per furnizim të energjisë elektrike. “Energjia e ripërtëritshme është zgjidhja konkrete të cilën Kosova duhet përcjellur për zgjidhjen e barrierave prezente ne sektorin e energjisë. Njëra nga alternativat është fillimi i instalimeve të paneleve solare në Kosovë, ku si e tillë, do ofrohej mundësia të prioritizohet diversifikimi i burimeve të energjisë në agjendën e zhvillimit të energjisë në vend”.
Gjatë diskutimeve me pjesëmarrësit, theks i veçantë i’u dha brengave rreth ndërtimit të TC “Kosova e Re,” ku banorët e Kosovës do të detyrohen të paguajnë më shtrenjtë faturën e energjisë elektrike për të paguar koston e ndërtimit të termocentralit, kurse probleme të mëdha do të paraqiten edhe në aspektin mjedisor, si dhe në rrugën drejt integrimit Europian të Kosovës. Në diskutim, u fol rreth politikave të sektorit të energjisë në Kosovë, planet e veprimit dhe masat e marra deri më tani, si dhe u theksuan mundësitë kryesore dhe barrierat që çojnë drejt një prodhimi të qëndrueshëm të energjisë në vend.
Kurse, nga përfaqësuesit e Hades u ngrit dhe çështja e moszhvendosjes së tyre ashtu siq ishte paraparë dhe injorimi i kërkesave të tyre pavarësisht se po jetojnë në kushte të mjerueshme.
Takimi në Prishtinë është i pari në serinë e takimeve që KOSID do të organizojë në të gjithë Kosovën për të bashkëbiseduar me qytetarë, ekspertë, asambleistë në lidhje me situatën energjetike në vend.