OJQ-të vëzhguese të Kosovës në mars të vitit 2019 paditën qeverinë e cila i ka dhënë leje ndërtimit të termocentralit të ri me qymyr, Kosova e Re, pa konsultat e kërkuara me ligj.
Javën e kaluar, KOSID, njoftoi se do ta padisë qeverinë e Kosovës për ndërtimin e një termocentrali të tretë me qymyr, pa u dhënë komuniteteve të prekura shansin për t’u përfshirë në konsultime publike mbi ndikimin e tij në mjedis, siç kërkohet me ligjin e Kosovës.
Ky njoftim është bërë më 14 mars gjatë një konference në Qendrën Burimore të BE-së në Prishtinë, me emrin Zhvillimet e sektorit të energjisë në tërheqjen e Bankës Botërore. Ndërtimi i termocentralit 450 megavatë (MW) të qymyrit Kosova e Re pësoi një goditje të rëndë tetorin e kaluar kur Banka Botërore njoftoi se po tërhiqte mbështetjen e saj në huamarrje për projektin. Kjo ndodhi sepse “Banka Botërore kërkoi që përmes akteve nënligjore të kalonin me opsionin më të ulët të kostos dhe tani rinovimi ka mbërritur nën koston e qymyrit” tha Jim Yong Kim, presidenti i Bankës Botërore në atë kohë.
Qeveria e Kosovës, sidoqoftë, ka vazhduar ndërtimin e këtij projekti, duke i dhënë ContourGlobal, kompanisë së listuar amerikane në Shtetet e Bashkuara dhe Mbretërinë e Bashkuar, pëlqimin mjedisor për ndërtimin e kësaj fabrike. Sipas KOSID, qeveria nënshkroi një Marrëveshje të Blerjes së Energjisë Elektrike që shkel Traktatin e Komunitetit të Energjisë nënshkruar nga Kosova në Athinë në vitin 2005.
Haki Abazi, themeluesi i KOSID, kritikoi vendimin për të ecur përpara me këtë plan përballë
opsioneve tjera në dispozicion të Kosovës. “Nuk ka diçka të tillë si qymyri i pastër ose termocentralet e qymyrit të pastër” tha ai, duke shtuar se “Banka Botërore nuk do të tërhiqej nëse qymyri ishte i pastër dhe jo ndotës”.
“KOSID nuk është vetëm duke kritikuar por gjithashtu ofron mundësi të tjera për mungesën e
energjisë në Kosovë dhe këto mundësi janë të bazuara në një plan me katër pika që ofron një
zgjidhje të qëndrueshme ekonomike dhe mjedisore” vazhdoi ai.
Ai vazhdoi të shtjellojë planin e KOSID, i cili kërkon që “së pari, ne duhet të ndalojmë të
investojmë në çdo qymyr të ri në Kosovë, që është 97 përqind i varur nga qymyri që gjeneron
energji; pika e dytë është rritja e efikasitetit të energjisë; pika e tretë nënkupton mbështetje për
vendosjen e burimeve të rinovueshme siç janë panelet diellore shtëpiake, turbinat me erë etj”, tha
Abazi.
Pika e katërt, tha Abazi, po lejon që linja e transmetimit të energjisë e ndërtuar midis Kosovës
dhe Shqipërisë të funksionojë, diçka që është në përputhje me traktatin e Energjisë Athinë të
nënshkruar në 2005. “Ky traktat më parë përcakton përdorimin e kapaciteteve të rajonit sesa ndërtimin e termocentraleve në secilin vend. Kjo ndërlidhje energjetike me Shqipërinë do të mundësonte
çmime të arsyeshme në rajon dhe gjithashtu do të shmangte nevojën për ndërtimin e
termocentraleve në secilin vend” tha ai.
Janez Kopac, kreu i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë me qendër në Vjenë, theksoi në një
mendim të botuar të hënën se Kosova është me të vërtetë është vendi më i varur nga qymyri në
tërë Ballkanin Perëndimor. “Në një kohë kur BE është në përpjekje të arrijë emetimet e gazit serrë zero-zero deri në vitin 2050, qymyri ende përfaqëson 97 përqind të gjenerimit të energjisë elektrike në Kosovë” shkroi ai në Euractiv.
Qeveria e Kosovës megjithatë është e vendosur të ndërtojë termocentralin e tretë, megjithëse
burimi për financimin e këtij projekti mbetet i pasigurt.
Mungesa e debatit publik për pëlqimin mjedisor
Arbër Kadriu, zyrtar ligjor me BIRN që hartoi padinë në emër të KOSID-it, sqaroi gjatë
konferencës së 14 marsit se ka pasur shkelje të rënda në dhënien e pëlqimit mjedisor për
ContourGlobal, ndërmarrja e vetme tenderuese të cilës iu dha leja e ndërtimit të uzinës përmes
një kontrate fitimprurëse.
“Ne kemi paditur Ministrinë e Mjedisit bazuar në faktin se ka shkelur ligjin e Kosovës për
Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis [VNM], pasi që nuk e bëri pëlqimin mjedisor që i dha
ContourGlobal në dispozicion për konsultim publik” shpjegoi Kadriu.
Në nenin 20 të Ligjit për VNM thuhet: “Përfundimet dhe rekomandimet kryesore, të përfshira në
Raportin e VNM-së dhe vendimi i propozimit për pëlqim mjedisor do t’i nënshtrohen debatit
publik”.
“Unë kam studiuar të gjitha dokumentet e marra nga Ministria e Mjedisit dhe kam vërejtur që
pëlqimi mjedisor kurrë nuk kaloi në procesin e diskutimit publik ashtu siç parashikon neni 20 i
ligjit të VNM” theksoi Kadriu.
Pippa Gallop, koordinatore e hulumtimit në CEE Bankwatch Network, një rrjet kryesor të OJQ-ve
mbikëqyrëse, që mbikëqyr financimin e projekteve të cilat prekin mjedisin në Evropën Qendrore
dhe Lindore, ka mbështetur padinë. “Është tronditëse në këtë ditë dhe epokë që qeveria e Kosovës lëshoi pëlqimin mjedisor për një termocentral të ri linjit, pa u këshilluar me publikun në lidhje me studimin e ndikimit mjedisor” tha Gallop për Prishtina Insight. “Kjo është një nga shkeljet më të egra të Direktivës së BE-së për VNM që kemi parë në Ballkanin Perëndimor vitet e fundit”.
I ndihmuar nga Bankwatch, në shkurt, KOSID dërgoi një ankesë pranë Sekretariatit të
Komunitetit të Energjisë në Vjenë, organi i cili monitoron zbatimin e Traktatit të Komunitetit të
Energjisë në vendet në Evropën Lindore dhe Juglindore.
Sipas Traktatit të Komunitetit të Energjisë, Kosova është e detyruar të zbatojë Direktivën e BE
për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis. Kjo do të thotë që publiku duhet të konsultohet për ndikimin mjedisor të projekteve të caktuara. Edhe sot, studimi i vlerësimit të ndikimit mjedisor për TCKR nuk është publikisht i disponueshëm për komunitetet që do të preken, diçka që Gallop e kritikoi. “Studimi i vlerësimit të ndikimit në mjedis duhet të jetë i disponueshëm, duhet të ketë një periudhë të qartë të përcaktuar të komenteve, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor duhet të tregojë se si i ka marrë parasysh komentet e publikut. Asnjë nga këto më sipër nuk u bë në këtë rast” shtoi Gallop.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, i cili mori pjesë si panelist në konferencën e KOSID javën e kaluar, u kërkoi gjykatave të Kosovës që të merren me padinë. “Ministria jonë ende nuk është njoftuar zyrtarisht për padinë, megjithatë, unë i bëj thirrje publikisht gjykatave që të trajtojnë me ngut këtë procedim” tha ai.
“Pëlqimi mjedisor që iu dha ContourGlobal nuk do të thotë që ata mund të fillojnë të funksionojnë, ne si ministri do të jemi përgjegjës të shohim nëse janë përmbushur të gjitha kushtet mjedisore”, shtoi Matoshi.
Sidoqoftë, kur u kërkua nga panelistët të revokojnë pëlqimin mjedisor bazuar në mungesën e konsultimeve publike, ministri u kundërpërgjigj se ky projekt është alternativa më e mirë në dispozicion dhe nëse miratimi do të revokohet, do të pasonte një penalizim i rëndë.
“Revokimi i pëlqimit mjedisor” do të jetë problematik, sepse ne mund të marrim ndërshkime nga
investitori”, tha ai, duke iu referuar marrëveshjes së kritikuar ndërkombëtarisht për blerjen e energjisë që Valdrin Lluka, ministri i ekonomisë, nënshkroi me ContourGlobal vitin e kaluar. Matoshi dhe Lluka vijnë nga e njëjta parti, AKR, e cila drejtohet nga ministri i jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli.
Ndërtimi i termocentralit të qymyrit u mbështet nga Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i
cili mbrojti projektin mes kritikave nga partitë opozitare në një seancë parlamentare majin e kaluar.
“Edhe nëse kjo qeveri bie, mos e votoni këtë projekt sepse kjo është në interes të fëmijëve tanë,
ne nuk mund të varem energjinë tonë nga fqinjët që nuk na njohin dhe nuk na duan”, tha ai .
“Po, do të ishte shumë më mirë nëse mund të mbështetemi te burimet e energjisë, siç janë hidrocentralet, diellore dhe gjithçka që është më pak ndotëse, por qymyrguri është burimi që kemi dhe ne do ta mbështesim energjinë tonë në qymyr”, përfundoi ai.
Nën mandatin e tij, qeveria e Kosovës publikoi kontratën që nënshkroi me ContourGlobal. Nga
kontrata është e qartë që buxheti i Kosovës do të duhej të subvenciononte shumë energjinë me
bazë të qymyrit të prodhuar nga ContourGlobal.
Kontrata premton të japë qymyr ContourGlobal falas dhe me cilësi të lartë. Linjiti në Kosovë
është i cilësisë së ulët që duhet të përpunohet për të arritur standardin e nevojshëm për përdorim
në termocentral. Kontrata furnizon ujë falas në ContourGlobal me qëllim ftohjen e uzinës. Gjithashtu mbulon kostot e zhvendosjes për njerëzit që jetojnë pranë gropave të hapura të qymyrit, si dhe mbledh
faturën e tyre të kujdesit shëndetësor të shkaktuar nga pluhuri dhe emetimet që vijnë nga çdo
fabrikë e qymyrit. Në krye të kësaj, pasi centrali të jetë funksional, sipas kësaj marrëveshje, nga Kosova do të kërkohet ta blejë energjinë nga ContourGlobal me një çmim eksponencialisht më të lartë sesa
çmimi aktual i energjisë në Kosovë, i cili është 80 euro për MWh. Këtë e konfirmoi Ymer Fejzullahu, shefi i tarifave në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, ZRrE, gjatë konferencës. “ZRrE ka bërë një vlerësim paraprak i cili vlerësoi një rritje prej mbi 50 përqind të çmimit të energjisë elektrike”, tha Fejzullahu.
Shqetësimet për rritjen e çmimit u ngritën nga Komuniteti i Energjisë në Vjenë vitin e kaluar, i cili e konsideron subvencionin si formë të “ndihmës shtetërore” dhe shkelje të rregullave të BE-së për tregun e lirë të energjisë. Komuniteti i Energjisë tani do të ketë një ankesë të re në duart e tyre për të vendosur, siç theksoi Gallop nga Bankwatch. “Popullit të Kosovës u është hequr e drejta e tyre të informohen për ndikimin e projektit dhe të marrin pjesë në procesin e vlerësimit”, tha Gallop. “Shpresojmë që Komuniteti i Energjisë së shpejti do të konfirmojë se kjo është një shkelje e Traktatit dhe do të kërkojë që pëlqimi të anulohet”.
Dajana Berisha nga Forumi për Iniciativën Qytetare, FIQ, e cila është gjithashtu bashkëthemeluese
e KOSID-it, është angazhuar me fshatarët e komunës Obiliq, ku bazohen termocentralet që nga
viti 2013. Ajo shpjegoi rreziqet e mosbisedimit me komunitetet. “Banorët e fshatit Hade, në Obiliq, në veçanti do të preken nga ndërtimi i termocentralit të ri. Një premtim publik u është bërë atyre që ata do të zhvendosen dhe kompensohen siç duhet”, tha ajo. “Ata jetojnë disa metra larg vendit ku thëngjilli po gërmohet për të ushqyer termocentralet aktuale dhe të ardhshme, kështu që ato do duhej të ishin zhvendosur shumë kohë më parë”, tha Berisha.
Berisha ndihmoi komunitetet e Obiliqit me një ankesë ligjore në Panelin e Inspektimit të Bankës
Botërore në vitin 2016. Pasi një ekip nga Uashington DC erdhi për të inspektuar, ata vendosën në
favor të komuniteteve që humbën tokën, jetesën dhe mirëqenien përmes zhvendosjes së
detyruar.
Ragip Graiçevci, përfaqësuesi i fshatit Hade i cili mori pjesë në konferencën e 14 marsit, i kërkoi
Ministrit të Mjedisit Matoshi të mos e ndiqte projektin. “Shumica e njerëzve në komunitetin tonë janë të sëmurë nga kanceri dhe vuajnë nga sëmundje të frymëmarrjes, kështu që ju lutemi mos na ndërtoni një burim tjetër të kancerit”, tha Graiçevci.
Si përgjigje për këtë, Ministri Matoshi u përgjigj se “ne nuk mund të ndalojmë projektet kapitale
si Kosova e Re për shkak të 200 shtëpive në Hade”.
Viktor Berishaj, studiues i zhvillimit të qëndrueshëm në BIRN, shpjegoi se fshatarët Hade qëllimisht janë lënë të izoluar, ndërsa miniera e qymyrit po gërmohet rreth shtëpive të tyre, thjesht për të mbajtur poshtë kostot e këtij projekti.
BIRN, OJQ që boton Prishtina Insight, është gjithashtu një nga themeluesit e KOSID. Një ministër qeverie, i cili preferon të mbetet anonim, i tha BIRN-it pas kësaj konference, se ata dyshojnë se KOSID “do ta humbasë këtë betejë ligjore”.
Dyshime të tilla u transmetuan gjatë diskutimeve publike në konferencë.
“Ne e dimë se si funksionon kjo, ata [qeveria] do të marrin telefonin dhe do t’i thonë gjykatës që të anulojë këtë padi sepse ata duhet të ecin përpara me projektin”, tha Abazi, mosbesues ndaj sistemit juridik të Kosovës i cili kritikohet në raporte të shumta si i korruptuar. “Ne po flasim për një kompani [ContourGlobal] që në fund të fundit do të ketë një buxhet më të madh se e gjithë qeveria e Kosovës, prandaj sigurisht është në dyshim nëse sistemi ynë i drejtësisë do të jetë në gjendje të llogarisë koston reale që qytetarët e Kosovës do të paguajnë për këtë projekt, përmes harxhimit të burimeve tona ujore, ajrit të ndotur, dëmtimit të tokës dhe kostos së shëndetit publik për shkak të thëngjillit”, tha Abazi.
Problemet me financimin e uzinës së qymyrit
ContourGlobal i tha qeverisë së Kosovës në një takim publik më 21 janar se për të marrë fonde të
mjaftueshme për ndërtimin e kësaj fabrike, kompania është në kontakt me dy banka, Korporatën
e Investimeve Private Overseas, OPIC, e cila është institucioni i financimit të zhvillimit të qeverisë së Shteteve të Bashkuara, dhe Banka Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar, JBIC.
Steve Herz, Këshilltar i Lartë i Politikave Ndërkombëtare për OJQ-në Sierra Club të SHBA,
shpjegoi se “asnjë institucion financiar ndërkombëtar nuk do të dëshirojë të shihet si “ushqim i
poshtëm” i projekteve që Banka Botërore ka hedhur poshtë, veçanërisht kur Banka ka konkluduar
publikisht se projekti nuk ka kuptim ekonomik për vendin pritës”.
“Financimi i këtij projekti thjesht do t’i bëjë JBIC dhe OPIC të duken sikur janë të interesuar të
mbështesin vetëm linjat e tyre në vend të popullit të Kosovës”, vazhdoi Herz.”Plus, fakti që
Kosova C tashmë ka një numër problemesh ligjore që lidhen me të gjithashtu do ta bëjë shumë të
vështirë pastrimin e proceseve të kujdesit të duhur të këtyre institucioneve”.
Pyetjet në lidhje me garancitë financiare që qeveria e Kosovës duhet të sigurojë për investimet e
ContourGlobal u ngritën nga Bedri Hamza, ministri i financave i Kosovës në takimin e 22 janarit.
“Cila është natyra e garancive [që duhet të japim si qeveri]? Për sa kohë do të na duhet t’i garantojmë këto fonde [afërsisht 400 milion euro]? Kjo përfshin ndihmë shtesë shtetërore, dhe të gjithë lojtarët e përfshirë në këtë projekt duhet të marrin parasysh çmimin e këtij financimi dhe si do të mbulohet”, tha Hamza.
Hamza u kujtoi të gjithë ministrave të qeverisë në takim se legjislacioni financiar në Kosovë nënkupton që garancia do të trajtohet si borxh publik. Garancia e tillë kërkon miratimin nga dy të tretat e votuesve në Kuvendin e Kosovës.
Koalicioni qeveritar i udhëhequr nga Haradinaj nuk ka dy të tretat e votave aktualisht në Kuvend. Që kjo garanci të miratohet, ajo duhet të mbështetet nga partitë opozitare. Një nga dy partitë kryesore të opozitës, Vetëvendosje, ishte e qartë se nuk do të mbështesë ndërtimin e kësaj fabrike.
“Ne kemi qenë të zëshëm për dëmet që vijnë nga ky projekt [TCKR] që nga viti 2015 kur u prezantua për herë të parë”, tha Glauk Konjufca, kreu i grupit parlamentar të Vetëvendosjes. “Tani është e qartë se Banka Botërore gjithashtu nuk dëshiron të përfshihet në këtë iniciativë e cila ka rreziqe dhe sjell dëme [financiare dhe mjedisore]”.
“Ne po kërkojmë nga qeveria të tërhiqet nga projekti dhe të tërheqë të gjitha licencat që i ka
dhënë”, vazhdoi ai. “Jo vetëm që do të votonim kundër garancisë së kredisë, por konsiderojmë se
nëse një qeveri guxon ta sjellë atë në votim, nuk duhet të befasohet nëse një çështje penale
ngrihet kundër një qeverie të tillë një ditë”.
Partia tjetër e opozitës, LDK, ishte më e rezervuar. “Ne nuk kemi ndonjë informacion zyrtar nga Qeveria e Kosovës, as nga institucionet e tjera, mbi strukturën e financimit të Kosovës e Re, pas tërheqjes së Bankës Botërore. Kur marrim këtë informacion zyrtar, ne mund të analizojmë efektet dhe pasojat e tij dhe të marrim një pozicion për strukturën e financimit për Kosova e Re”, tha Besian Mustafa, zëdhënës i LDK-së. Në fund të fundit, struktura financiare e ndërtimit të uzinës varet kryesisht nga vendimet e bankave të tjera për të siguruar garancinë e huasë që Banka Botërore u tërhoq nga viti i kaluar.
Steve Herz nga Klubi Sierra theksoi se “siç konkludoi Banka Botërore, investimi në ndonjë
fabrikë të re të thëngjillit nuk ka kuptim financiar për njerëzit e Kosovës, pasi alternativa më me
kosto efektive janë në dispozicion të shpejtë”.
“Dhe duke pasur parasysh që burimet e energjisë së pastër, të rinovueshme dhe opsionet e
ruajtjes do të vazhdojnë të bëhen shumë më të lira me kalimin e kohës, nëse Kosova do të
shkonte përpara me një fabrikë të thëngjillit, ekziston rreziku i lartë që uzina nuk do t’i rikuperojë
kurrë kostot e saj dhe njerëzit e Kosovës do të paguante çmimin”, shtoi Herz.
Dajana Berisha, e cila ishte nikoqire e konferencës, konfirmoi se Valdrin Lluka, ministri i
ekonomisë së Kosovës dhe Bernhard Haider, përfaqësuesi i ContourGlobal në Kosovë, ishin të
dy të ftuar në konferencë, por nuk e pranuan ftesën.