Ky aktivitet është i bashkëfinancuar nga Qeveritë e Çekisë, Hungarisë, Polonisë dhe Sllovakisë përmes Granteve të Vishegradit nga Fondi Ndërkombëtar i Vishegradit.
TRYEZË E RRUMBULLAKËT
“Qëndrueshmëria e ndërtimeve në Gjilan dhe rreziku nga tërmetet”
Gjilan
Më 09.08.2021, në Gjilan u mbajt tryeza e rrumbullakët me temë diskutimi “Qëndrueshmëria e ndërtimeve në Gjilan dhe rreziku nga tërmetet”. Diskutimi filloi në ora 13:00. Të pranishëm në këtë tryezë të rrumbullakët ku u ngritën diskutime e shqetësime nga më të ndryshmet ishin: z. Bekim Bajrami – Drejtor i Urbanizmit, z. Shaqir Ukshini – Udhëheqës i lejeve të ndërtimit në Drejtorinë e Urbanizmit, z. Nexhat Ismajli – Shoqëri Civile, z. Ridvan Aliu – Inxhinier i ndërtimit, znj. Sevdije Maliqi – Zyrtare nga sektori i planifikimit, si dhe qytetarë të shumtë të interesuar rreth kësaj teme.
Diskutimi filloi me Drejtorin e Urbanizmit të Komunës së Gjilanit, z. Bekim Bajrami rreth kodit të ndërtimit në këtë qytet, zbatueshmërisë së tij, si dhe procedurave që duhet të ndjekin të interesuarit për të marrë një leje ndërtimi, Z. Bajrami tha se çdo parcelë që investitori ka planifikuar për ndërtim duhet t’i nënshtrohet planit urbanistik dhe pastaj duhet zbatuar një numër kriteresh, ndër të cilat edhe komponenta sizmike. Për sa i përket procedurave për marrjen e një leje ndërtimi, z. Shaqir Ukshini specifikoi se fillimisht duhet të jetë e rregulluar parcela e tokës, të miratohen kushtet e ndërtimit, pastaj bëhet inspektimi dhe se nuk japin leje pa plotësim të kritereve. Ai gjithashtu tha se informatat e hollësishme mund të gjenden edhe online. Ndërsa, për numrin e përafërt të dhënies së lejeve të ndërtimit, z. Ukshini tha se prej vitit 2013 deri në vitin 2018 ka pasur një fluks të interesimit për ndërtime dhe rrjedhimisht edhe dhënies së lejeve të ndërtimit. Kështu, përgjatë një viti janë dhënë rreth 200 leje ndërtimi, por në vitin e fundit është vënë re një ulje e numrit të lejeve ndërtimi dhe janë dhënë 87 leje ndërtimi.
Në vazhdim, z. Nexhat Ismajli nga Shoqëria Civile, duke falenderuar organizatorët për organizimin e këtij diskutimi, shtjelloi disa problematika të evidentuara në qytetin e Gjilanit. Z. Ismajli theksoi se ndërtimet në Gjilan kanë qenë të mëdha dhe se banesat e ndërtuara nuk kanë dalje emrgjente. Pikërisht për këtë, ai tha se jemi të brengosur, sepse Gjilani është zonë sizmike me potencial tërmeti. Z. Nexhat Ismajli vlerësoi se përveçse këto problematika nuk janë adresuar në institucione, gjithashtu konsideroi se Komuna e Gjilanit nuk është shumë transparente sa i përket këtyre temave. Për situatën me tërmetet dhe mbrojtjen nga to, Drejtori i Urbanizmit z.Bajrami tha se prej vitit 1963 kur ka ndodhur tërmeti në Shkup e që ka shkaktuar dëme edhe në rajon, është vendosur Sistemi i projektimit asizmik në të cilin është edhe Kosova. Ndërkohë, potencoi se objektet që kanë qenë më të ndjeshme gjatë tërmeteve të viteve të fundit kanë qenë ato të ndërtuara para viteve 2002. Ndërsa, vlerësoi se objektet e ndërtuara prej 2002 e këtej janë të rezistueshme. Për situtaën me ndërtimet dhe zbatueshmërinë e kritereve, foli edhe inxhinieri i ndërtimit z. Ridvan Aliu, i cili tha se sa i përket ndërtimeve që janë duke ndodhur në terren, si dhe raporteve të inspektoratit janë duke u zbatuar kriteret dhe kodi i ndërtimit, si dhe tregoi që kanë pasur bashkëpunim edhe me Komunën.
Në pjesën tjetër të kësaj tryeze, diskutimi u zhvendos tek qytetarët e pranishëm, të cilët përveç shqetësimeve që ngritën për problematikat e ndryshme në komunitetin e tyre, paten edhe një sërë pyetjesh për panelin e të ftuarëve. Një qytetare nga diaspora ishte e interesuar se kush e përcakton nivelin e tarifave të banesave dhe në rast të termeteve a i kompenson dikush dëmët. Z. Nexhat Ukshini në përgjigjen e tij tha se ata kanë kompetencë deri te dhënia e lejes së ndërtimit dhe se çmimet caktohen nga tregu. Kurse, për vlerësimin dhe kompensimin e dëmeve formohen komisione të cilët bëjnë analizën e kostove financiare. Po ashtu, përmendi se ata që nuk janë kompensuar për metrat katrorë të dëmtuara në të kaluarën, kur aplikojnë për leje ndërtimi janë të liruara nga taksat që duhet të paguajnë.
Një tjetër çështje që u ngrit në diskutim ishte ajo e ndërtimeve pa leje. Nga Komuna thanë që ka një Drejtori të Inspeksionit që merret me ndërtimet pa leje. Ndërsa, qytetarët insistuan në pyetjen e tyre se pse janë lejuar të ndërtohen këto ndërtesa pa leje, z. Nexhat Ukshini tha në vit mesatarisht jepen 150 leje ndërtimi, ndërkohë ndërtohen 300. Ai e vendosi theksin edhe tek ndihma që vetë qytetarët duhet t’iu japin institucioneve duke i informuar për ndërtimet pa leje, pasi sipas tij në Drejtorinë e Urbanizmit është vetëm një inspektor dhe ai i vetëm nuk mund të kontrollojë gjithë qytetin e Gjilanit. Një tjetër qytetare parashtroi një pyteje se pse ka shumë objekte dhe nuk ka parkingje në proporcion me numrin e objekteve, si dhe a është paraparë ndonjë zgjidhje për këtë çështje? Zyrtarja nga sektori i planifikimit, znj. Sevdije Maliqi tha se planifikimi i të gjitha objekteve është bërë konform normave teknike të parapara me planin rregullues, por nuk kemi ekip të monitorimit të realizimit të planeve.
Një qytetar u ndal tek një sërë problemesh shqetësuese, ku specifikoi disa probleme të mëdha të përditshme. Sipas tij, tokat më pjellore të qytetit të Gjilanit janë shndërruar në banesa kolektive. Ai foli edhe për mungesën e hapësirës rreth objekteve banesore si dhe për mungesën e dajleve emergjente. Ky qytetar ngriti edhe një shqetësim rreth asaj se shoqërisë civile në këtë qytet i mungon guximi dhe marrë në konsideratë faktin që ky sektor funksionon bazuar në fonde, ata nëse i dalin kundër qeverisjes, nuk mund të fitojnë projekte. Qytetari Ramadan Mehmeti tha se ka edhe mungesë të interesimit qytetar sa i përket çështjeve kolektive që kanë të bëjnë me qytetin. Ai përmendi se kur kishin punuar për strategjinë zhvillimore të qytetit dhe kishin prezantuar politikat e kësaj strategjie qytetarët nuk ishin interesuar. Z. Mehmeti bëri thirrje që qytetarët e interesuar të shkojnë nëpër debatet publike. E pikërisht për interesimin dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në diskutime publike pati replika mes vetë qytetarëve dhe zyrtarëve nga Komuna, me këta të fundit që deklaronin se janë të hapur për çdo pyetje dhe të gatshëm në çdo kohë për t’u përgjigjur. Në replikën ndaj zyrtarëve të Komunës, një qytetar tha se reagime kanë pasur, por nuk janë perfillur. Për ta fuqizuar argumentin e tij, ai përmendi rastin e mbulimit të lumit dhe ndërtimit të sheshit mbi atë lum. Gjithashtu, ai thotë se edhe kur ka diskutime publike, qytetarët nuk informohen mjaftueshëm për to apo njoftimet mungojnë. Ndërkaq, nga ana tjetër z. Ukshini thotë se iu është pergjigjur të gjitha ankesave dhe pyetjeve të qytetarëve. Pyetje u parashtruan edhe për shkeljet e disa ndërtesave specifike, si dhe ndërtesat e larta tek teatri.
Nga shoqëria civile, z. Ismajli tha se nuk ka bashkërendim të organizatave të shoqërisë civile dhe se ata duhet të bashkëpunojnë më shumë në funksion të sigurisë së qytetarëve. Ndërkohë, z. Lulzim Bexheti, një qytetar i Komunës së Gjilanit që jeton në Finlandë, por shumë i interesuar për qytetin, shpjegoi në detaje pozitën e Gjilanit dhe rrezikshmërinë që i kanoset për shkak se ndodhet mes dy pllakave tektonike. Z. Bexheti tha se fillimisht duhet ndërruar qasje në këtë diskutim, sepse nuk janë tërmetet që po shkaktojnë dëme, por ndërtesat. Në kuadër të kësaj, ai bëri thirrje për përdorimin e teknologjisë ekologjike, e cila po përdoret në botë. Gjithashtu, ai theksoi nevojën e një rishikimi të lejeve të ndërtimore të dhëna në 10 vjeçarin e fundit, për arsye se gjatë kësaj kohe ka qenë fluksi më i madh i ndërtimeve, ndërkohë që ndërtimet e 2 viteve të fundit duhet të ndalen, me argumentin se ndërtesat e viteve të fundit janë mbi 5 katëshe. Z. Lulzim Bexheti gjithashtu ngriti një shqetësim për përdorimin e një materiali ndërtimor si asbesti në shumë ndërtesa, si dhe faktin që 30 % e gypave janë të mbështjellë me këtë material. Kjo e vë në rrezik jetën e qytetarëve, sepse asbesti është material kancerogjen.
Diskutimi përfundoi në ora 15:00.