Ky aktivitet është i bashkëfinancuar nga Qeveritë e Çekisë, Hungarisë, Polonisë dhe Sllovakisë përmes Granteve të Vishegradit nga Fondi Ndërkombëtar i Vishegradit.
TRYEZË E RRUMBULLAKËT
“Efiçienca e ndërtimeve në Pejë”
Pejë
Më 11.08.2021, në Pejë u mbajt tryeza e rrumbullakët me temë diskutimi “Efiçienca e ndërtimeve në Pejë”. Diskutimi filloi në ora 11:00. Të pranishëm në këtë tryezë ishin znj. Dajana Berisha – Drejtore Ekzekutive e FIQ dhe bashkëthemeluese e KOSID, z. Mehti Mula – Drejtor i bujqësisë në Pejë, z. Besim Turjaka – Arkitekt, si dhe një numër i konsiderueshëm qytetarësh që shprehen mendimet, kritikat dhe qëndrimet e tyre për situatën me ndërtimet përgjithësisht dhe efiçiencën e energjisë specifikisht.
Diskutimin e nisi znj. Dajana Berisha, e cila foli për misionin e organizatës KOSID, duke potencuar se kjo organizatë si konsorcium i organizatave të shoqërisë civile përgjatë një dekade ka shërbyer në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë, duke përmendur disa rezultate konkrete që janë arritur si rrjedhojë e këtij angazhimi, ndër to anulimi i ndërtimit të termocentralit Kosova A. Znj. Berisha u ndal edhe tek rëndësia e këtyre diskutimeve, duke marrë parasysh situatën me zjarret në shumë vende. Ajo tha se lajmet e ditëve të fundit për zjarret (qoftë si rezultat i ngrohjes globale, qoftë si rrjedhojë e veprimeve të faktorit njeri), prerja e pyjeve, futja e lumenjeve nëpër gypa, shkatërrimi i tokave bujqësore, janë një thirrje për reagim dhe mbi të gjitha ndërgjegjësim qytetar.
Drejtori i bujqësisë z. Mehti Mula duke vlerësuar këtë tryezë si një iniciativë e duhur kur po përballemi me problematika të natyrave të ndryshme. Ai tha se toka bujqësore në Pejë po shndërrohet në tokë ndërtimore. Ai përmendi që ka qenë edhe vetë pjesë e hartimit të planeve zhvillimore dhe se ka apeluar që për ndërtim të përdoren tokat e degraduara. Z. Besim Turjaka në cilësinë e arkitektit foli për përdorimin e energjisë alternative. Ai tha se energjia alternative nuk është përdorur dhe ndërtesat nuk janë izoluar, sepse sipas tij ka pasur tri periudha të ndërtimeve. Periudha e viteve ’90 – 2000 ka pasur ndërtime banesore për nevoja emergjente si strehimi dhe përgjithësisht nuk i kanë plotësuar kushtet. Metrialet nuk kanë qenë cilësore dhe shtëpitë kanë qenë të mëdha. Periudha e dytë e emergjencës deri në vitin 2005 – thjeshtë ndërtim për të mos i lënë njerëzit pa banim dhe nuk i është kushtuar rëndësi energjisë. Ndërsa, në periudhën e tretë, prej vitit 2005ka filluar një invazion i ndërtimit dhe ka pasur investime dhe ndërtimet kanë filluar të jenë më efiçiente. Kjo më shumë në sektorin privat, kurse në ndërtimet që janë bërë individualisht jo. Arkitekti konsideron që blerësit potencial janë shumë më të edukuar dhe interesohen më shumë për detaje. Si problematikë në zhvillimin urbanistik në Pejë, z. Turjaka përmendi rregullimin e hapësirave të lira, duke thënë se 95 % e objekteve kolektive nuk e trajtojnë pjesën e hapësirës. Ideja ka qenë që objektet të jenë më të larta, në mënyrë që të ruhet toka. Ndërkohë që, specifikoi se duhet te vihet deri tek një racionalizim i projektimit, sa i përket efiçiencës së energjisë, ai përmendi faktin që ka pasur iniciativa nga organizatat që banorët që janë të interesuar të ndihmohen për t’i veshur shtëpitë me materiale që e ruajnë energjinë.
Diskutimi u zhvendos tek qytetarët, të cilë shkëmbyen me njëri-tjetrin pakënaqësitë që kanë dhe adresuan një numër të konsiderueshëm kritikash që kishin për degradimin e qytetit, paknaqësitë me institucionet etj. Një nga qytetarët e qytetit të Pejës tha se kjo që po i bëhet qyetit të Pejës është krim. Ai konsideroi se për interesa të individëve që janë të fortë,po rriten ndërtesat me lartësi. Zotëria ngirti edhe shqetësimin që qyteti i vjetë po shkatërrohet dhe kjo që po ndodh nuk po kundërshtohet. Ndërkohë sa i përket transparencës së komunës, u tha se kur është hartuar plani zhvillimor, i cili ka zgjatur 3 vjet, janë organizuar takime ku qytetarët kanë mundur ta shprehin mendimin dhe vërejtjet e tyre. Para Asamblesë së Komunës së Pejës janë ekspozuar hartat ku kanë pasur mundësi t’i shohin.
Në diskutim e sipër, znj. Dajana Berisha ngriti dy çështje problematike pë diskutim, të tilla si betonizimi, duke parashtruar një pyetje se a është e reflekton kjo korrupsionin, shpërlarjen e parave, ndërtimet pa leje, si dhe çështje e izolimit të shtëpive, duke vënë në pah se në Kosovë ka masivisht shtëpi të mëdha, por të pa izoluara. Dhe, duke qenë të pa izoluara, shfrytëzojnë edhe më shumë energjinë elektrike. Rreth izolimit si kriter i që kërkohet ose jo gjatë dhënies së lejes së ndërtimit, arkitekti Turjaka tha se në Drejtorinë e Urbanizmit nuk janë të pajisur me staf për të bërë kontroll të projekteve që i dorëzojmë, e kjo edhe sa i përket kontrollit të efiçiencës. Kurse për interesimin për investim në energji alternative, Turjaka thotë se janë duke punuar në një projekt me pullaze ku është mundësia për furnizim me energji solare, por ai përmend vështirësitë në implementimin e kësaj, të tilla me KEDS, me urbanizëm. Kjo, sipas tij bën që edhe idetë inovative të hasin në pemgesa. Për interesimin për panele solare, arkitekti specifikon që ka pasur, por të gjitha bëhen në nivel individual, sepse kushtojnë.
Ndërsa nga qytetarët ka të tjera ankesa sa i përket lartësisë dhe afërsisë së ndërtesave dhe për të ilustruar këtë një qytetar tha që mund të kalosh nga njëra banesë në tjetrën vetëm për gjysëm metër. Ai gjithashtu potencoi se pronarët që ndërtojnë objekte janë të fuqishëm dhe nuk na dëgjojnë. Ndërsa për për mosorganizimin e qytetarëve për të qenë pjesë e diskutimeve, u tha që në një lagje është e pamundur të organizohen të gjithë qytetarët dhe se shteti duhet të vendos ku të ndërtohet e ku jo, sepse individi nuk mund ta rregulloj sistemin. I pranishëm në këtë tryezë, ish ministri i shëndetësisë Numan Balic tha se njerëzit vijnë nëpër debate, flasin, por ato që thonë nuk adresohen dhe për këtë arsye qytetarët e kanë humbur besimin. Duhet të kthehet besimi i qytetarëve për këto diskutime publike. Nërkohë, Drejtori i bujqësisë për mosinteresimin e qytetarëve thotë se njoftimet për debate publike kanë qenë publike dhe qytetarë nuk iu janë përgjigjur. Për këtë, për shkak të mospjesëmarrjes, tri herë më është dashur të anuloj një takim. Një tjetër qytetar tha se Peja po bëhet qyteti i dytë i betonizuar pas Prishtinës. Ka shumë ndërtesa që nuk e plotësojnë asnjë kriter, duke ngritur madje shqetësim edhe për ndërtimin e ndërtesave në bregun e lumit. U përmendën edhe problematikat rrethanore që lindin si pasojë e mbindërtimit dhe mbipopullimit, duke theksuar problemin e mbipopullimit të shkollave.
Një pjesë e diskutimit u përqëndrua edhe tek shoqëria civile, por edhe diskutimet publike që zhvillon Komuna. Një qytetar deklaroi se shoqëria civile shumë pak është involvuar, për shkak të interesave që i kanë të lidhura me Kuvendin Komunal dhe për këtë arsye nuk merren me këto çështje. Ndërsa për debatet publike, thanë që shkojnë militantët e partisë që është aty dhe qytetari nuk ka drejtë me ngrit zërin, sepse i kundërvihen. Një qytetar foli për degradimin e mjedisit në Pejë, duke thënë që baraspesha ekologjike ka humbur në këtë qytet. Ai për të ilustruar këtë tha se janë asfaltuar rrugët në Parkun Nacional dhe në të gjithë Rugovën. Do të ishte më mirë që buxheti i shpenzuar për këto rrugë të investohej në energji efiçiente. Ndërsa, për investimet individuale në energji efiçiente, një qytetar tregoi se në zonat rurale kanë filluar të punojnë në izolim, ndërsa tha se Komuna nuk suvencionon nëse një ndërtesë përdor energji alternative. Ai përmendi edhe një problematikë që çon në përdorimin e energjisë elektrike. Mungesa e ujësjellësit ka bërë që në një pjesë të Pejës banorët të përdorin pompat që furnizojnë me ujë e të cilat funksionojnë me energji elektrike.
Në pjesën e fundit të diskutimit, qytetarë dhanë idetë e tyre për mënyrën e zgjidhjes së problematikave që i ngritën përgjatë diskutimeve. Biona Karaniqi, studente e arkitekturës tha se duhet të shtohet informimi dhe bashkëpunimi, si dhe bërthama e qytetit të mos mbetet në qendër. Një qytetar tjetër e vendosi theksin tek rritja e ndikimit të OJQ-ve, rritja e përgjegjësisë dhe efikasitetit të qeverisjes. Ndërkohë, caktimi i një vije demarkacioni në qytet ku nuk lejohet të ndërtohet ishte propozimi i një qytetari. Gjithashtu, nga një qytetar u propozua menaxhim më i mire. Sipas tij, pasi të gjitha e shfrytësojnë drurin për ngrohje, duhet të furnizohen më herët me dru, në mënyrë që të ketë mundësi druri të thahet, sepse druri i tharë lëshon më pak tym dhe më shumë ngrohje, kurse në Pejë shkollat furnizohen shumë vonë. Të tjera propozime për ngritje të ndërgjegjësimit dhe vetëdijsimit për këto çështje, më shumë organizime të debateve ku diskutohen këto tema, si dhe inkurajim të qytetarëve për pjesëmarrje në debate publike, për ndalje të korrupsionit, u dhanë gjatë këtij diskutimi.
Znj. Dajana Berisha në fjalën përmbyllëse të kësaj tryeze, tha se është e ndërgjegjshme për çështjen e humbjes së besimit tek organizatat e shoqërisë civile, duke theksuar se krijimi dhe veprimi i disa organizatave ka afektuar perceptimin dhe imazhin që është krijuar për të gjithë organizatat. Ajo potencoi se duhet të ketë bashkëpunim të të gjithëve për të punuar për një vision të përbashkët për t’i çuar proceset përpara. Ndërkohë, që për problematikat dhe shqetësimet e ngritura në këtë tryezë tha se do të bëjmë një raport dhe do t’i adresojmë në Ministrinë e Mjedisit dhe të Energjisë.
Diskutimi përfundoi në ora 13:00.