Ky aktivitet është i bashkëfinancuar nga Qeveritë e Çekisë, Hungarisë, Polonisë dhe Sllovakisë përmes Granteve të Vishegradit nga Fondi Ndërkombëtar i Vishegradit.
TRYEZË E RRUMBULLAKËT
“Kodi i ndërtimit dhe zhvillimi urban”
Ferizaj
Më 23.08.2021, në Ferizaj u mbajt tryeza e rrumbullakët me temë diskutimi “Kodi i ndërtimit dhe zhvillimi urban”. Ky diskutim filloi në ora 10:00. Të pranishëm në panel ishin znj. Dajana Berisha – Drejtore Ekzekutive e FIQ dhe bashkëthemeluese e KOSID, z. Lulzim Aliu – Drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Ferizaj, z. Arsim Murseli – Arkitekt, si dhe qytetarë të interesuar për temën e diskutuar.
Znj. Dajana Berisha e nisi këtë tryezë duke prezentuar mënyrën e funksionimit të KOSID dhe misionin e kësaj organizate. Znj. Berisha tha se KOSID është funksionon si një konsorcium i organizatave të shoqërisë civile, ku përfshihen organizata think tanks që merren me raporte dhe analiza, organizata që punojnë në terren me qytetarët, si dhe media investigative. KOSID prej një dekade punon në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm, duke avokuar, analizuar, ndërtuar strategji për harmonzimin e nevojës për zhvillim ekonomik dhe mrojtjes së mjedisit, si dhe njëkohësisht rritjes së përfshirjes së qytetarëve në proceset vendimarrëse të nivelit lokal dhe qendror. Ndër sukseset që janë arritur nga strategjia avokuese e KOSID, të cilën e përmendi znj. Berisha është tërheqja e Bankës Botërore nga financimi i termocentralit Kosova e Re.
Drejtori i Urbanizmit, z. Aliu filloi diskutimin me trajtimin e një prej problematikave të dukshme edhe në qytetet e tjera që ka të bëjë me interesimin e qytetarëve për përfshirje në diskutimet publike. Z. Aliu theksoi se është një problem tek shoqëria jonë, sepse qytetari ende nuk e ka kuptuar ende rolin e vet në gjithë strategjinë që ndërtohet në një qeverisje lokale dhe qendrore. Idetë dhe mendimet e qytetarit mund të jenë kontribues në drejtimin që merr zhvillimi i qytetit, por edhe politikat shtetërore. Sipas z. Aliu debatet publike janë bërë, por qytetarët përveç se nuk e kanë kuptuar rolin e tyre, gjithashtu nuk e kanë besim tek qeverisja. Drejtori tha se sipas ligjit në Kosovë, dokumenti kryesor për zhvillimin e një qyteti është plani zhvillimor komunal. Për Planin Zhvillimor ka pasur debate gjithandje, por me pjesëmarrje minimale. Sa i përket planit zhvillimor urban, z. Aliu tha se është një plan multisektorial, i cili përfshin strategjinë e zhvillimit të një qyteti. Ai foli edhe për Hartën Zonale, e cila i cakton kushtet për zhvillim e strategjisë së përcaktuar nga Plani Zhvillimor, për të cilën tha se edhe tek kjo është paqartë se si do të zhvillohet strategjia për zhvillim. Gjithashtu, tregoi se së fundmi është mbajtur një simpozium me drejtorët e urbanizmit dhe është ardhë në përfundimin se duhet të ndryshojë kjo strategji dhe legjislacioni. Në Ferizaj, Plani Zhvillmor Komunal është miratuar në vitin 2017, ndërsa ndërtimet bëhen sipas Ligjit të Ndërtimit, por duke qenë në harmoni me Planin Zhvillimor Komunal. Drejtori Aliu foli edhe për dokumentet me planifikimit që kanë gabime të shumta në Ferizaj dhe përpjekjet për t’i zgjidhur problematikat. Ndërkohë, specifikoi angazhimin që po bëjnë për të mos lejuar ndërtimet e mëtutjeshme në hapësirat ku ka gjelbrim. Por, ai thotë se për t’u plotësuar kërkesat e qytetarëve për shtimin e hapësirave të gjelbërta duhet me pas buxhet, ose të krijohen politika të atilla që me ble prona dhe pastaj ato me i shndërru në hapësira të gjelbërta.
Një tjetër problematikë që përmendi z. Aliu është mungesa e kontrollit të punimeve gjatë ndërtimit, si dhe mungesa e stafit, e cila ështe problematike jo vetëm për qytetin e Ferizaj, por për të gjithë qytetet e Kosovës. Sipas ligjit në Kosovë, në disa sektorë nuk lejohet angazhimi i më shumë punëtorëve. Komuna e Ferizaj ka pasur vetëm një inspektor, ndërsa që dy vite i ka dy. Drejtoria e Urbanizmit sipas tij nuk ka zyrtarë që e kontrollojnë detajisht një projekt të ndërtimit. Megjithatë, ligji i lejon që nësa Komuna nuk ka mekanizëm për kontroll, kompania që merret me ndërtimin duhet të angazhoj një inxhinier i licencuar (në Kosovë nuk ka të licencuar), i cili duhet t’i përcjell të gjitha fazat e ndërtimit. Ndërtimi i Spitalit të Ferizaj në ish tregun e bagëtive, sipas z. Aliu është bërë për shkak se nuk kanë mundur të gjejnë një vend më të përshtatshëm, dhe fakti që spitali është rajonal dhe për t’iu mundësuar qaje të gjithë zonave të rajonit është ndërtuar pikërisht aty.
Znj. Dajana Berisha u ndal tek problematika e mos interesimit dhe mos pjesëmarrjes së qytetarëve në debate publike. Ajo tha se për këtë fajëson drejtpërdrejt politikën, sepse ka humbur besimi se pjesëmarrja e qytetarëve dhe e ojq-ve mund të sjell ndryshime cilësore në dokumentet për të cilat diskutohet. Edhe arkitekti z. Arsim Murseli përmendi problematikën me mos pjesëmarrjen e qytetarëve, por edhe defektet me ligjet dhe dokumentet e planifikimit. Sipas, tij derisa bëheshin këto zvarritje, ndërtimi ka vazhduar dhe pasojat shihen. I gjithë qyteti është shndërruar në një zone urbane dhe mungon hierarkia e qytetit, ku do të kishte blloqe të ndara banimore dhe urbane. Z. Murseli tha se qasja e zgjidhjes së problemit është e gabuar. Për apatinë e krijuar të qytetarëve dhe mos pjesëmarrjen e tyre në diskutime me me rëndësi për zhvillimin e qytetit pati reagime edhe ngaa vetë qytetarët e pranishëm. Njëri prej tyre tha se dekurajimi apo zhgënjimi i qytetarëve ka filluar qysh prej nisjes së diskutimve për Planin Zhvillimor Komunal në vitin 2016, sepse ka ndodhur një mashtrim ndaj qytetarëve dhe në vend se të diskutohej për master planin dhe për katër rregullimet që i bën ky plan, është diskutuar për planet detaje. Me këtë janë shpërnqëndruar dhe mashtruar qytetarët. Kemi përfundu me një plan, i cili është kundërshtim me Ligjin për Planifikim Hapësinor të Republikës së Kosovës. Kemi të bëjmë me një zinxhir të personave të përfshirë në paligjshmëri. Gjithashtu, vetë fakti që nuk po zbatohen planet në fuqi është një paligjshmëri. Zhvillimi ekonomik ndërkohë, fare nuk është dikutuar në Planin Zhvillimor Komunal. Ndërsa, për kodin e ndërtimit tha se ekzisto udhëzimi administrativ, i cili do të funksiononte shumë mirë, nëse do të rrespektohej. Qytetari tha po ashtu se nuk mund të vazhdohet me leje ndërtimore, përderisa nuk kemi ujë dhe kjo tregon se zhvillimi ka filluar mbrapsht. Situata sipas tij është e frikshme dhe ka prodhuar shumë defekte dhe duhet të ndërhyet menjëherë për t’u shpëtuar ajo çfarë ka mbetur për t’u shpëtuar në Ferizaj.
Sipas Drejtorit të Urbanizmit në Ferizaj janë paraparë 1500 hektarë për ndërtim të lartë. Sipas tij ka qenë shumë problem me i ndal investimet. Ky Plan Zhvillimor është me defekte dhe nuk ka qenë dokument që përshtatet me vizionin tonë për zhvillimin e qytetit. Gjithmonë biznesi është para shtetit dhe sukses i një qeverisje është nëse mund t’a harmonizojë interesin e bizneseve me interesin publik sipas tij. Z. Aliu vlerëson se janë në një rrugë të drejtë të zgjidhjes së problemit, sepse kanë mundur të orientojnë ndërtimin duke mos i stagnuar dhe bllokuar kompanitë për ndërtim. Kemi filluar me i largu ndërtimet nga qendra dhe me orientu në një pjesë që mendojmë se duhet të jetë zhvillimi i ri i qytetit.
Znj. Dajana Berisha tha se diskutimet e bëra në shtatë qytete të Kosovës do të përpilohen në një raport të përbashkët, gjetjet e të cilit do të prezentohen në një konferencë me të cilën synohet të hapet një debat i madh kombëtar për këto çështje. Znj. Berisha parashtroi edhe një diskutim për përputhshmërinë e vizionit politik me interesat e qytetarëve. Në lidhje me këtë, përfaqësuesi i fshatit Mirosalë në Komunën e Ferizaj kërkoi që mini fabrikat dhe fabrikat që kanë filluar të ndërtohen brenda fshatit të ndërtohen në hapësirën që është e paraparë për ndërtim të zonës industriale në hyrje të fshatit. Ai po ashtu tha se asnjëherë askush nuk i ka ftuar për t’iu treguar se çfarë do të bëhet me Planin Zhvillimor, të cilin e kanë. Një tjetër qytetar me profesion gjeograf z. Adnan Hashani tha se Plani Hapësinor dhe Plani Zhvillimor Komunal ndërtohen mbi disa parimet, prej të cilave nuk mund të gjesh asnjë që nuk është shkelur. Z. Hashani specifikoi se prej vitit 2015 është miratuar rritja e koeficientit të ndërtimit, ku prej ndërtesave 6 katëshe janë bërë 14 katëshe, prej të cilave kanë përfituar një pjesë e vogël e njerëzve në dëm të qytetarëve, sepse këto kanë shumë implikime edhe për të ardhmen. Ai parashtroi edhe një pyetje për sa i përket Hartave Zonale dhe mos funksionalizmin e tyre. Arkitekti Murseli tha se Harta është abstrakte dhe përcakton se për çfarë koficienti është një zonë dhe kaq. Por, është detyrë e profesionistëve pastaj për të formuar objektet përkatëse. Ndërsa Drejtori i Urbanizmit z. Aliu tha se Harta Zonale nuk e zgjidh problemin. Ai gjithashtu potencoi se duhet të luhet me koficientin e ndërtimit për t’i joshur investitorët për të ndërtuar në zona larg qendrës. Z. Aliu tha se ai është kundër tendencës për ta kategorizuar ndërtimin si mafia e ndërtimit, sepse ndërtimi është industri e zhvillimit.
Diskutimi përfundoi në ora 12:00.