Ky aktivitet është i bashkëfinancuar nga Qeveritë e Çekisë, Hungarisë, Polonisë dhe Sllovakisë përmes Granteve të Vishegradit nga Fondi Ndërkombëtar i Vishegradit.
TRYEZË E RRUMBULLAKËT
“Drenasi dhe zhvillimi urbanistik”
Drenas
Më 18.08.2021, në Drenas u mbajt tryeza e rrumbullakët me temë diskutimi “Drenasi dhe zhvillimi urbanistik”. Diskutimi filloi në ora 10:00. Të pranishëm në këtë tryezë ishin znj. Dajana Berisha – Drejtore Ekzekutive e FIQ dhe bashkëthemeluese e KOSID, znj. Flutura Avdiu – Drejtore e Urbanizmit në Komunën e Drenasit, z. Shaban Dobra – Arkitekt, z. Arben Nika – Shoqëria Civile, si dhe zyrtarë të tjerë nga departamente të ndryshme të drejtorive komunale dhe qytetarë të Drenasit.
Diskutimin e nisi znj. Dajana Berisha me një prezantim përmbledhës të misionit të KOSID. Ajo theksoi se KOSID përfshin shumë organizata dhe individë që preokupohen për zhvillimin e qëndrueshëm dhe për një harmoni në mes nevojës për zhvillim dhe mbrojtjes së mjedisit. Znj. Berisha specifikoi rëndësinë e këtyre diskutimeve, duke pasur në konsideratë situatën me zjarret në shumë vende, që kanë ardhur si pasojë e ngrohjes globale, e prerjes së pyjeve, shkatërrimit të tokave bujqësore. Ndërsa tha se kjo tryezë është një diskutim i hapur me qëllim të vënies në dijeni me problemet kryesore që hasin qytetarë e Drenasit sa i përket zhvillimit urbanistik, zgjidhjeve që mund të keni, si dhe adresimi i tyre në ministritë përkatëse, komisionet parlamentare etj. Znj. Flutura Avdiu nga Drejtoria për Zhvillim Urban foli për dokumentacionin dhe planin urbanistik e rregullues në Komunën e Drenasit. Ajo tha se drejtoria që e drejton ka dokumente të planifikimit hapësinor, ndërkohë që përmendi se vitin e kaluar është finalizuar plani urbanistik, ndërsa janë në përfundim të hartave zonale. Znj. Avdiu tha se Komuna e Drenasit nuk ka kod të ndërtimit, por funksionon në bazë të dokumenteve të planifikimit hapësinor dhe sipas ligjit të ndërtimit. Për sa i përket lejeve të ndërtimit dhe procedurave që ndiqen për të marrë të marrë një leje ndërtimi, ajo tha se nëse kërkesa është në zone urbane aplikohet direkt për leje, nëse nuk është, atëherë aplikohet fillimisht për kushtet e ndërtimit e pastaj për lejen e ndërtimit.
Arkitekti nga Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Drenasit, z. Shaban Dobra shpjegoi më në detaje procedurat për marrjen e një leje ndërtimi, duke theksuar se këto procedura ndahen në dy kategori: nëse ndërtimi është i përfshirë në zonën rregulluese, shkohet direkt me leje të ndërtimit, ndërkohë nëse nuk është në këtë zone, kërkohen kushtet e ndërtimit (prona e përcaktuar, tatimi në prone, plani dhe ideja e projektit). Pas këtyre procedurave bëhet aplikimi për leje ndërtimi. Z. Dobra tha se gjithashtu nevojiten edhe përlqimet e operatorëve si KEDS, ujësjellësi etj. Ndërsa, përmendi se edhe qytetarët kanë filluar të vetëdijësohen për lejet e ndërtimit, ndërkohë që vlerësoi se është e pamundur që 100 % e ndërtimeve të kenë leje ndërtimi, por në masë të madhe janë ndërtime me leje.
Nga Shoqëria Civile, z. Arben Nika tha se gati si në gjithë komunat e tjera, edhe në Drenas shoqëria civile po qëndron larg proceseve, duke specifikuar mungesën e koordinimit për të pasur një përfaqësim të denjë aty ku merren vendimet. Për bashkëpunimin e shoqërisë civile me Komunën e Drenasit dhe për transparencën e kësaj të fundit, z. Nika tha se gjithmonë ka qenë i ftuar nga Komuna e Drenasit sa herë që ka pasur hartim të planeve dhe në shumë prej tyre janë integruar koncepte nga shoqëria civile. Ai tha gjithashtu se gadishmëri për bashkëpunim me shoqërinë civile nga ana e Komunës së Drenasit ka pasur, por mungojnë adresat për shkak të mosfunksionalitetit të organizatave të regjistruara. Një nga dikutimet që u ngrit në këtë pjesë është edhe mungesa e profilizimit të organizatave të shoqërisë civile. Po ashtu, u adresua një kritikë rreth tyre për keqkuptim të misionit të tyre dhe mungesë të guximit, duke përmendur faktin që në ftesat që iu bëhen për diskutime mbi hartimin e dokumenteve të rëndësishme, ose mungojnë ose marrin pjesë formalisht.
Nga Komuna thanë se janë angazhuar që t’i organizojnë sa më mirë diskutimet sa i përket zhvillimit urbanistik të Drenasit, por theksuan se nuk janë të kënaqur me mungesën e interesimit të publikut, pavarësisht njoftimeve publike. Ata thanë se shoqëria civile do të duhej të ishte më mirë e organizuar. Ndërsa sa i përket interesimit të qytetarëve, një problematikë që u vendos në diskutim ishte ajo se interesimi i qytetarëve është më i madh pasi përmbyllen planet, pasi hartohen projektet. Dhe pikërisht atëherë nisin diskutimet.
Një gjë që u vërejt në këtë tryezë ishte numri i madh i zyrtarëve të pranishëm nga Komuna dhe mungesa e numrit të qytetarëve dhe shoqërisë civile, pavarësisht ftesave që kanë marrë për të qenë të pranishëm në këtë tryezë. Kio u u diskutua si një problematikë specifike, duke theksuar një lloja gare mes vetë organizatave të shoqërisë civile. I gjithë kjo problematikë rreth organizatave të shoqërisë civile u parashtrua duke pasur në konsideratë rolin thelbësor që ka shoqëria civile në funksionimin më të mire të institucioneve, duke i thirrur në përgjegjësi dhe llogaridhënie këto të fundit.
Në fund të takimit diskutimi u zhvendos tek ata pak qytetarë të pranishëm në tryezë për të adresuar problematikat, për të dhënë ide për zgjidhjet e mundshme, por edhe për të folur për gadishmërinë e Komunës për bashkëpunim me qytetarët. Një nga qytetarët me profesion inxhinier propozoi që Komuna të ftojë në diskutime për çështjet të caktuara ata ekpertë që i përkasin fushës për të cilën diskutohet. Administratori i fshatit Arllat, z. Halit Bytyçi përveç që adresoi një problematikë tashmë të specifikuar edhe në qytetet e tjera siç është ajo e shfrytëzimit të tokave bujqësore për ndërtim. Z. Bytyçi gjjithashtu prpozoi që të legalizohen ndërtimet që janë ekzistuese dhe të mos lejohet ndërtimi i mëtejshëm në toka bujqësore, si dhe ndërtimet të bëhen me planifikim. Në kuadër të diskutimeve për raportin e Komunës me qytetarët dhe shoqërinë civile u inkuadrua edhe Zyrtari për Shërbime Publike në Komunën e Drenasit, i cili ndër të tjera tha se qytetarët janë ftuar në dikutime, por ka pasur pak interesim. Ai përmendi po ashtu një numër punësh me të cilat merret Drejtoria e Shërbimeve Publike, duke filluar nga menaxhimi i mbeturinave, për të vazhduar me menaxhimin e kanalizimeve, pastrimin e degëve të lumenjëve, transportin publik e ndriçimin. Ndërkohë, përfaqësuesi nga OJQ GAC tha se duhet të ketë bashkëpunim më të madh mes Komunës dhe Shoqërisë Civile dhe mbi të gjitha Komuna duhet të jetë iniciatore dhe stimuluese e këtij bashkëpunimi. Ai tregoi edhe për angazhimin e kësaj organizate krijimin e grupeve të gjelbërta, si dhe për mënyrën se si i kanë organizuar diskutimet me qytetarë, duke bashkëpunuar me administratorët e lagjeve, por edhe takimet derë më derë. Njëherit përmendi që qytetarët kanë qenë të interesuar. Një qytetar nga fshati Strumbullugë parashtroi edhe disa problematika të cilat kishin të bënin me shtrimin e rrugëve, me trotuarët, me ndriçimin publik, si dhe telat e rrymës nëpër tokë në këtë fshat.