Ky aktivitet është i bashkëfinancuar nga Qeveritë e Çekisë, Hungarisë, Polonisë dhe Sllovakisë përmes Granteve të Vishegradit nga Fondi Ndërkombëtar i Vishegradit.
TRYEZË E RRUMBULLAKËT
“Kodi i ndërtimit dhe zhvillimi urban”
Prishtinë
Më 24.08.2021, në Prishtinë u mbajt tryeza e rrumbullakët me temë diskutimi “Kodi i ndërtimit dhe zhvillimi urban i Prishtinës”. Diskutimi filloi në ora 10:00. Të pranishëm në këtë tryezë ishin znj. Dajana Berisha – Drejtore Ekzekutive e FIQ dhe bashkëthemeluese e KOSID, znj. Kosovare Sadiku – Shoqëri Civile, si dhe ekspertë të urbanizmit, arkitektë dhe inxhinier, qytetarë. Po ashtu, në këtë tryezë është ftuar edhe Drejtoria për Urbanizëm e Komunës së Prishtinës, të cilët nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.
Diskutimin e filloi znj. Dajana Berisha me një prezentim të organizatës KOSID dhe misionit që kjo organizatë ka tashmë prej një dekade që funksionon. Znj. Berisha tha se KOSID është një konsorcium i organizatave të shoqërisë civile dhe adreson problematika që lidhen me zhvillimin e qëndrueshëm. Ajo përmendi edhe strategjitë e suksesshme avokuese që KOSID ka zhvilluar, ku ndër to specifikoi tërheqjen e Bankës Botërore nga investimi i termocentralit Kosova e Re, si rezultat i kësaj strategjie. Bashkëthemeluesja e KOSID, znj. Berisha theksoi se ky projekt “Kodi i ndërtimit dhe zhvillimi urban”, i cili tashmë është duke organizuar nga KOSID dhe financuar nga Vissegrad, ka shpërfaqur mangësitë e jashtëzakonshme të trajtimit të temës, si dhe nevojën për ekspertizë të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirje.
Znj. Kosovare Sadiku foli për planin zhvillimor të Prishtinës dhe atë se a reflekton ky plan përkrahjen e qytetarëve, vizionin dhe kërkesat e tyre. Znj. Sadiku tha se me ligje është e rregulluar gjithçka, ku edhe parashihen diskutimet publike, por vizioni i qytetarëve dhe institucioneve nuk janë në përputhje. Ajo përmendi edhe një projekt që ka inicuar organizata ku punon për përfshirjen e qytetarëve në dizajnimin e hapësirave publike dhe vetëdijësimin e tyre për këto hapësira. Gjithashtu, specifikoi se duhen gjetur mënyra të reja të diskutimit me qytetarët dhe duhet të forcohet shoqëria civile, sepse kjo e fundit ka një rol ndërmjetës mes qytetarëve dhe institucioneve. Si një sukses të avokimit të shoqërisë civile, znj. Sadiku përmendi Badovcin dhe ndërprerjen e projektit të ndërtimeve aty.
Ilir Rodiqi – Profesor i Menaxhimit të Ndërtimit në Universitetin e Prishtinës dhe përfaqësues i Institutit Nomad, tha se Ligji i Ndërtimit është aprovuar në vitin 2012 dhe brenda gjashtë muajve sipas ligjit është dashur të përpilohet kodi, i cili nuk është bërë ende. Eksizton një draft i shkruar, por në hartimin e tij nuk janë konsultuar fare ekspertat. Nga ana tjetër, znj. Lumnije Gashi Shabani – Arkitekte e Planifikimit Hapësinor dhe Urban bëri një rezyme të detajuar rreth planifikimit urban. Znj. Gashi Shabani shpjegoi se ligji i parë për planifikim hapësinor ishte hartuar dhe miratuar në vitin 2002, ndërsa ndryshimi i këtij ligji u bë në vitin 2012, pavarësisht komenteve të ekspertëve se ky ligj nuk duhet të ndryshohet, por duhet vetëm të adresohen mangësitë e procesit ekzitues që ishin vënë me ligjin e vitit 2002. Ky ligj i ri futi instrumente të reja si Hartën Zonale të Komunës, për të cilin kemi qenë kritikë. Znj. Lumnije Gashi Shabani tha gjithashtu se si grup i ekspertëve kishin dhënë komentet e tyre për çdo draft që ishte përpiluar, port ë cilat nuk janë marrë parasysh. Ky ligj u aprovua në vitin 2013 dhe ashtu siç çdo ligj e përcakton brenda një viti do të duhej të hartoheshin edhe udhëzimet administrative, por Minsitrisë i janë dashur gjashtë vite dhe vetëm në vitin 2019 e ka nxjerrë aktin e fundit administrativ për ta kompletuar kornizën ligjore. Kjo sipas znj. Gashi Shabani ka qenë një pengesë shumë e madhe për zhvillimet nëpër komuna, sepse ka pasur ngecje dhe interpretime të ndryshme. Ajo tha gjithashtu se sot ka mangësi të jashtëzakonshme qoftë në Ligjin për Planifikim Hapësinor, qoftë mes vetë Ligjit për Planifikim Hapësinor dhe akteve nënligjore, ka kontradikta madje në të njëjtin akt nënligjor. Kjo është shumë e mundimshme për secilin profesionist të zbatojë një system të tillë dhe të përpilojë instrumentet e duhura të planifikimit. Ligji ka mangësi edhe në mekanizmat për zbatim, sepse nuk janë të përcaktuara qartë detyrat e secilit përgjegjës të planifikimit hapësinor. Znj. Gashi Shabani tha se se sygjerimet dhe rekomandimet nuk janë marrë në konsideratë.
Znj. Elvira Pallaska – Profesore e Planifikimit Hapësinor në UBT dhe përfaqësuese e OJQ Qytetarët Aktivë, e cila tha se janë një grup që janë duke u marrë me analizimin e të gjitha dokumenteve që po harton Komuna e Prishtinës dhe kompania që harton në emër të Komunës. Znj. Pallaska theksoi se Ligji i ri për Planifikim Hapësinor është një ligj i imponuar dhe i pa konsultuar dhe i pa diskutuar. Me këtë ligj sipas znj. Pallaska është eleminuar koncepti qytet, në mënyrë që të hiqen kufijtë urban, të cilit kanë ekzistuar me ligjin e mëparshëm. Znj. Pallaska ngriti edhe një problematikë të cilën e kishte vërejtur në diskutimin e fundit në Komunën e Prishtinës, ku ishte diskutuar Korniza Zhvillimore e Prishtinës. Në këtë diskutim sipas saj kishte qytetarë të interesuar se çfarë po ndodhë me parcelat e tyre dhe përgjigja nga zyrtarët e Komunës ishte se atë do ta shihni në Hartën Zonale.
Një qytetare e Prishtinës, znj. Sabrije Spahiu vlerësoi realizimin e këtij diskutimi dhe foli për një tjetër problematikë në lagjen e saj në Bregun e Diellit, e cila ka të bëjë me ndërtesat e larta, të cilat sipas saj janë shndërruar në “burgje” për të moshuarit, sepse nuk kanë ashensor. Kjo ka sjellë që shumë prej tyre në momentet e fundit të jetës t’i ndërrojnë vendbanimet për këtë arsye. Për këtë problematikë, znj Spahiu tha se janë ankuar në Komunë, por nuk kanë marrë përgjigje. Një tjetër qytetar, z. Jusuf Islami nga Lagja Pejton foli për degradimin ka që pësuar kjo lagje ndër vite. Ai tha se një problematikë është mos instalimi i nxemjes qëndrore në këtë lagje, edhe pse ndodhet në qendër të qytetit. Po ashtu një tjetër problem tha z. Islami është kthimi i kësaj lagje në destinim të ndërtesave të larta. Gjithashtu, pjesa e kanalizimeve, kabllot e rrymës janë të tjera problem.
Zn. Drita Shabani – Arkitekte foli për problematikën të cilën e parashtroi znj. Spahiu sa i përket mungesës së ashensorëve. Znj. Shabani tha se Prishtina një numër të madh të stokut të ndërtesave të banimit e ka banesa të vjetra me katër kate, për të cilat ligji në atë kohë ka qenë që të mos kenë ashensore. Sipas znj. Shabani është Ligji për ndërtesat e banimit në bashkëpronësi, i cili rregullon se si të funksionojë një ndërtesë e tillë me shumë bashkëpronarë. Brenda ndërtesës patëm bërë që të krijohet një entitet ligjor brenda ndërtesës që do t’i përfaqësonte bashkëpronarët. Kjo do të krijojë lehtësira gjatë marrjes së lejes në Komunë, sepse kërkohet aprovimi i 50 % të bashkëpronarëve, ndërsa kur shkohet me iniciativë individuale, atëherë kërkohet aprovimi i 100 % të tyre. Gjithashtu, znj. Drita Shabani rekomandoi sanimin apo riparimin e stokut ekzistues të ndërtesave të banimit. Ndërsa për pjesëmarrjen e qytetarëve në diskutimet publike, ajo tha se bëhet në mënyrë formale.
Për aspektin menaxherial pati disa kritike, ku z. Rodiqi tha se administrata është totalisht e papërgaditur. Z. Feti Selimi – Inxhineri i Ndërtimit rekomandoi se duhet të avokohet për ndryshim të Ligjit të Ndërtimit dhe Ligjit të Planifikimit Hapësinor, si dhe funksionalizmi i Komisionit për kontroll të zbatimit të legjislacionit. Pati ankesa edhe për sjelljet burokratike të administratës. Ndërsa, znj. Elvira Pallaska tha se duhet të reagohet që Plani Zhvillimor i Prishtinës 2028 të mos votohet. Në përfundim të këtij diskutimi, znj. Dajana Berisha theksoi se këto diskutime do të përpilohen në një raport dhe problematikat e paraqitura do të adresohen në institucionet lokale dhe qendrore, si dhe në ministritë përkatëse.
Diskutimi përfundoi në ora 12:00.