Ky aktivitet është i bashkëfinancuar nga Qeveritë e Çekisë, Hungarisë, Polonisë dhe Sllovakisë përmes Granteve të Vishegradit nga Fondi Ndërkombëtar i Vishegradit.
TRYEZË E RRUMBULLAKËT
“Zhvillimi urban i Mitrovicës dhe menaxhimi i mbetjeve të ndërtimeve”
Mitrovicë
Më 05.08.2021, në Mitrovicë u mbajt tryeza e rrumbullakët me temë diskutimi “Zhvillimi urban i Mitrovicës dhe menaxhimi i mbetjeve të ndërtimeve”. Diskutimi filloi në ora 11:00. Të pranishëm në këtë takim ishin znj. Shyhrete Peci – Zyrtare e Drejtorisë së Urbanizmit në Mitrovicë, Vehbi Ahmeti – Inspektorati i ndërtimit, z. Migjen Abrashi – Inxhinier i ndërtimtarisë, z. Ivo Gjokiç – Shoqëri Civile, si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në Mitrovicë dhe qytetarë të interesuar për këtë temë diskutimi.
Si fillim iu parashtruan disa pyetje të përgjithshme Zyrtarës së Drejtorisë së Urbanizmit znj. Shyhrete Peci rreth lejeve të ndërtimit në përgjithësi, si dhe lejeve të ndërtimit të dhëna gjatë vitit të fundit në veçanti. Znj. Peci theksoi se Komuna e Mitrovicës vetëm përgjatë vitit 2020 ka dhënë gjithsej 27 leje ndërtimi. Ajo po ashtu theksoi faktin që ka pasur edhe shumë kërkesa të tjera për leje ndërtimi të cilat janë refuzuar për arsye të ndryshme, të tilla si mosplotësimi i dokumentacionit apo mospërmbushja e kritereve etj. Në rastin e mosplotësimit të dokumentacionit nga pala që kërkon një leje ndërtimi, znj. Shyhrete Peci tha se ekziston neni 22, sipas të cilit Komuna e lajmëron palën për këtë gjë dhe ka afat kohor 8 ditë për t’i sjellë dokumentet që mungojnë. Në rast se nuk i sjellin, atëherë kërkesa për leje ndërtimi refuzohet. Në pyetjen që iu drejtua për sa i përket aplikimit dhe procedurave për marrjen e një leje ndërtimi, znj. Peci shpjegoi me detaje hapat që ndiqen. Fillimisht bëhet aplikimi në Komunë, pastaj lënda dërgohet tek arkitekti për vlerësim. Gjithashtu, një ekip prej 8 inxhinierëve e kontrollojnë projektin dhe krejt në fund jepet leja për ndërtim. Një fakt tjetër që përmendi zyrtarja nga Komuna ishte lëshimi i çertifikatës për përdorim të objektit, ku theksoi se kjo çertifikatë lëshohet kur përfundojnë punimet dhe pasi shefi i inspeksionit vlerëson se objekti i plotëson kushtet. Ndërkohë, tha se të gjitha detajet janë të publikuara në web faqen e Komunës së Mitrovicës.
Diskutimi vazhdoi me z. Migjen Abrashi, i cili fillimisht vlerësoi realizimin e kësaj tryeze dhe diskutimi, duke theksuar nevojën për më shumë diskutime të kësaj natyre, marrë në konsideratë gjendjen e qytetit. Z. Abrashi bëri një rezyme të shkurtër rreth zhvillimit urbanistik të qytetit të Mitrovicës dhe konstatoi se ka mjaftueshëm ligje dhe rregullore, të cilat janë të shkruara shumë mirë, por që zbatueshmëria e tyre në praktikë mungon. Ai foli gjithashtu edhe për një fenomen shqetësues si deponitë ilegale, ku tregoi se nga numri i përgjithshëm i deponive ilegale që ka Kosova, 47 % prej tyre janë deponi ilegale ku hidhen mbetjet e ndërtimeve. Kur jemi tek deponitë ilegale, z. Abrashi tha se vërehet një rritje eksponenciale e tyre dhe për ta ilustruar këtë, ai përmendi faktin që në vitin 2017 në Kosovë ka pasur mbi 1500 deponi ilegale, ndërsa në vitin 2019 kjo shifër është rritur dhe ka arritur në mbi 2500. Z. Migjen Abrashi vlerësoi se ka kompani serioze të cilat i plotësojnë të gjitha kriteret, por ka edhe të tjera të cilat janë të papërgjegjshme. Gjithashtu, sa i përket mbetjeve të ndërtimit, ai tha se nuk janë trajtuar mjaftueshëm si çështje.
Ivo Gjokiç në cilësinë e përfaqësuesit të Shoqërisë Civile në Mitrovicë tregoi se vitin e kaluar kanë punuar rreth gjobave mandatore, të cilat specifikisht kanë qenë në funksion të mbrojtjes së mjedisit. Sa i përket gjobave mandatore, ai potencoi se janë shqipuar 21 gjoba mandatore. Ndërkohë, Z. Gjokiç në mesin e gjithë problematikave që ka qyteti i Mitrovicës sa i përket zhvillimit urbanistik, si dhe menaxhimit të mbetjeve të ndërtimit, përmendi si një nga faktorët kyç që e ka sjellë gjendjen deri në këtë pikë, numrin e vogël të inspektorëve komunal. Kur jemi tek insepektorët komunal, z. Vehbi Ahmeti nga Inspektorati i ndërtimit i Komunës së Mitrovicës u ndal tek menaxhimi i mbetjeve të ndërtimit, ku shpjegoi se investitori është i obliguar të sjellë një dëshmi se ka kryer pagesën në deponinë e qytetit, ku edhe janë të obliguar t’i hedhin mbetjet nga ndërtimet. Vetëm pas sjelljes së kësaj dëshmie, bëhet inspektimi final, i cili determinon marrjen e çertifikatës për shfrytëzim të objektit të ndërtuar. Por sa i përket vështirësive me menaxhimin e mbetjeve të ndërtimit, z. Ahmeti specifikon edhe rolin e gjykatave, të cilat sipas tij nuk kanë punuar sa duhet për shyrtimin e lëndëve dhe padive. Ai përmendi faktin që në vitin 2019 është shqyrtuar vetëm një lëndë kurse në vitin 2020 asnjë. Ndërsa thotë, që vetë ata nuk kanë të drejtë ndëshkimi, përveçse shqiptimin e gjobave mandatore me 500 euro.
Diskutimi u zhvendos dhe u thellua edhe tek arsyet se pse kompanitë e ndërtimit i hedhin mbetjet nga ndërtimet kudo. Rreth kësaj u dhanë disa argumente. Znj, Shyhrete Peci tha se ata që nuk i hedhin në deponitë e përcaktuara janë ata që ndërtojnë pa leje. Ndërsa, z. Migjen Abrashi argumentoi se shumë prej kompanive i hedhin mbetjet nga ndërtimet aty ku e kanë më të lehtë dhe më afër, për të pasur kosto më të ulët. Kjo vjen edhe për faktin që deponitë legale ndodhen shumë larg qytetit dhe për kompanitë mesatare kjo llogaritet si kosto shtesë. Z. Abrashi u ndal edhe tek çështja e riciklimit të këtyre mbetjeve, duke specifikuar interesin që ekziston për riciklim, por që nuk është bërë mjaftueshëm në këtë drejtim. Ai tha se mbetjet e qelqit, të metalit rëndom riciklohen në mënyrë spontane dhe jo sistematike. Gjithashtu, potencoi se disa kompani kanë makineritë me anë të së cilave bëjnë riciklimin e betonit, të asfalltit. Por, nga ana tjetër ka shumë të tjera që nuk e bëjnë këtë. Z. Migjen Abrashi në diksutimin se si duhet krijuar një strategji për menaxhimin e mbetjeve të ndërtimeve, tha se mbeturina duhet pare si aset për ripërdorim, sepse nga riciklimi i tyre praktikisht krijon lëndën e parë.
Bashkëpunimi mes Komunës, shoqërisë civile dhe qytetarëve është shumë i rëndësishëm në kontekstin e këtyre problematikave ku janë të përfshirë shumë aktorë. Sa i përket kësaj, z. Ivo Gjokiç nga Shoqërisa Civile vlerësoi se Komuna e Mitrovicës është treguar bashkëpunuese. Ndërsa, një problemtikë shumë shqetësuese që përmendi z. Gjokiç ishte ajo se afër kontinierëve nëpër qytet gjuajnë mbetje të ndërtimeve dhe kompanitë për mbledhjen e mbeturinave nuk mund t’i marrin, sepse mund t’i dëmtojnë kamionat. Ndërsa, një punëtor nga Kompania Uniteti , përgjegjëse për mbledhjen e mbeturinave, tha se prej mbeturinave që mbledhin çdo ditë, 14 tonë prej tyre janë interne, kauça, pajisje të banjove.
Diskutimi në 15 minutat e fundit ishte i hapur edhe për qytetarët e pranishëm në këtë tryezë, të cilët kishin mundësinë të adresonin problematikat sa i përket zhvillimit urbanistik të qytetit të Mitrovicës, menaxhimit të mbetjeve të ndërtimeve, si dhe pakënaqësitë e tyre të ndryshme rreth mjedisit dhe degradimit të tij. Një shqetësim u ngrit nga znj. Hysnije Thaqi nga OJQ Mundësia, e cila tha se tokat bujqësore kanë filluar të mbushen me mbeturina, si dhe me goma. Ndërsa nga OJQ Arbëreshi, z. Rifat Ademi e vendosi theksin tek ndërgjegjësimi jo i mjaftueshëm i vetë qytetarëve. Z. Ademi specifikoi një numër të konsiderueshëm problematikash, të tilla si uzurpimi i hapësirës publike, mungesa e trotuarëve dhe parkingjeve në qytet si pasojë e ndërtimeve pa kriter, degradimi i çarshisë së vjetër, hapësirën e shkollës ekonomike si një vend ku po i hedhin mbeturinat. Ai tregoi se vetë ishte angazhuar në një numër nismash për pastrimin dhe mirëmbajtjen e disa hapësirave në qytet. Ndërsa për zgjidhjen që duhet t’i jepet këtij problem, z. Ademi tha se duhet të shqiptohen gjoba për secilin veprim në dëm të mjedisit. Z. Feriz Kadriu me profesion arkitekt, përmendi disa problematika të zhvillimit urban dhe menaxhimit të mbetjeve të ndërtimit në Mitrovicë. Ai u ndal tek konteksti komunal dhe menaxherial, informimi i mangët i publikut, mungesa e ndërgjegjësimit për riciklim, si dhe numri i vogël i zyrtarëve komunal që merren me kontrollin e këtyre çështjeve. Z. Ferizi propozoi edhe një zgjidhje për këtë situatë, duke theksuar se fillimisht duhet bërë një analizë e situatës me ndërtimet dhe pastaj të krijohet një strategji veprimi. Në kuadër të kësaj strategjie, ai parasheh krijimin e një Departamenti për menaxhim, si dhe krijimin e një ekipi të ekspertëve nga fusha të ndryshme që merren me menaxhimin e ndërtimeve. Në vazhdën e vlerësimit të situates, ai tha se qendra e qytetit është shndërruar në një xhungël urbane dhe se pikërisht qendra e qytetit po vazhdon të mbushet me ndërtime.
Për problematikat që ngritën qytetarët, znj. Peci tha se edhe interesimi i vetë qytetarëve është shumë i ulët, sepse sa herë vendosim njoftime për diskutime publike, ata nuk shfaqin interesim për të marrë pjesë. Kurse, për pjesën e parkingjeve në një ndërtesë, ajo thotë se arkitekti e kontrollon planin dhe e sheh se a ka mjaftueshëm parkingje. Ndërkohë, një qytetar tha se qyteti është mbyllur aq shumë sa nuk mund të shohësh nga lagja në lagje. Një tjetër çështje që u ngrit nga një qytetare në këtë diskutim ishte ajo e banesave të cilat janë ndërtuar duke mos i plotësuar kriterët paraprakisht. Në këtë pikë, zyrtarët nga Komuna sqaruan se ndërtesa duhet t’i nënshtrohet ligjit për legalizim. Investitori duhet të aplikojë për legalizim dhe në momentin që legalizohet, atëherë keni mundësi të regjistroni pronën.
Diskutimi përfundoi në ora 13:00.