Ky aktivitet është i bashkëfinancuar nga Qeveritë e Çekisë, Hungarisë, Polonisë dhe Sllovakisë përmes Granteve të Vishegradit nga Fondi Ndërkombëtar i Vishegradit.
TRYEZË E RRUMBULLAKËT
“Zhvillimi urban i Podujevës”
Podujevë
Më 26.08.2021, në Komunën e Podujevës u mbajt tryeza e rrumbullakët me temë diskutimi “Zhvillimi urban i Podujevës”. Diskutimi filloi në ora 11:00. Të pranishëm në këtë diskutim ishin z. Shpen Sopa – Shoqëri Civile, z. Fatmir Fazliu – Zyrtar i Komunës së Podujevës, z. Adriatik Haziri – Arkitekt, si dhe qytetarë të interesuar për temën që u diskutua.
Diskutimi nis me zyrtarin nga Komuna, z. Fatmir Fazliu, i cili tregoi se Podujeva nuk ka enkas kod të ndërtimit, por bazohet në dokumentacionin përkatës, si dhe planin rregullues. Z. Fazliu specifikoi edhe procedurat për marrjen e një leje ndërtimi, ku theksoi se fillimisht bëhet aplikimi për kushte ndërtimore dhe pastaj aplikimi për lejen e ndërtimit. Ai gjithashtu konstatoi se përgjithësisht kriteret e vendosura respektohen, por ka edhe tejkalime. Kurse, për masat që ndërmarrin kur bëhen këto tejkalime apo shkelje, ai tha se si Drejtori e Urbanizmit kanë kompetencë deri tek dhënia e lejes ndërtimore dhe pastaj është inspektorati që merret me kontrollimin. Ndërsa, për situatën me ndërtimet, por edhe për zhvillimin urban përgjithësisht në Podujevë dha një konstatim arkitekti Adriatik Haziri, i cili tha se situata me ndërtimet në këtë qytet nuk është keq dhe se natyrisht numri i tyre është rritur, sepse është rritur gjithashtu nevoja për vendbanime. Për çështjen e ndërtimeve pa leje, z. Haziri rekomandoi që fillimisht të vlerësohen të gjitha ato objekte dhe pastaj të legalizohen ato që janë për t’u legalizuar dhe tjerat të rrenohen nëse nuk plotësojnë asnjë kriter. Arkitekti Haziri bëri edhe një përmbledhje të masave që ndërmerren për për mbrojtjen e punëtorëve, ku përfshihen rrethimi i vendpunishtës, mënyra e montimit të skeleve etj.
Shpend Sopa nga Shoqëria Civile foli për angazhimin e kësaj të fundit në Komunën e Podujevës. Z. Sopa tha se shoqëria civile nuk është e organizuar sa duhet për tema përkatëse që kanë të bëjnë me ndërtimet apo zhvillimin urban, sepse nuk ka organizata që punojnë dhe janë të profilizuara në këtë drejtim. Ai përmendi se organizatat e shoqërisë civile nuk kanë fonde të mjaftueshme për t’u marrë me organizime të tilla, sepse të gjitha janë të përqëndruara në Prishtinë.
Diskutimi vazhdoi me pyetjet e qytetarëve. Z. Gazmend Havolli, qytetar i Podujevës prashtroi disa pyetje sa i përket Hartës Zonale, çfarë përfshin dhe kohës së përfundimit të tyre, por edhe për atë se a ka Komuna një program afatgjatë apo afatmesëm të zhvillimit urban. Nga Komuna, Z. Fazliu tha se Harta Zonale ka filluar në 2018 dhe vitin e kaluar është finalizuar drafti, i cili është dërguar për aprovim, por ende nuk është aprovuar. Sa i përket Hartës Zonale, arkitekti z. Korab Syla tha se Harta Zonale nuk parasheh vetëm ndërtimin e objekteve dhe rrugëve brenda qytetit, por për të gjithë Komunën në tërësi. Arkitekti Syla vlerësoi se më e mira rreth Hartës Zonale është se nuk ka caktuar etazhitet, sepse pastaj edhe ata si arkitektë do të ishin të detyruar t’i përmbahen asaj dhe nuk do të mund të shfrytëzonin kreativitetin në projektet e tyre. Ai rekomandoi që të mos mbetet vakum mes planit rregullativ dhe hartave zonale, të cilat mund të shfrytëzohen për interesa të ndryshme. Z. Syla theksoi se e mira është që në Podujevë nuk ka pasur shumë ndërtime si në qytetet e tjera në Kosovë dhe është mundësia që qyteti të zhvillohet sipas një plani.
Qytetarët patën pyetje dhe ankesa edhe për rrugët e ngushta, pengesat e vendosura në to, komunikacionin e rënduar, si dhe hapësirat e zëna në shesh nga lokalet e gastronomisë. Nga Drejtoria e Shërbimeve Publike u tha se ka pasur kërkesa nga vetë qytetarët për të vendosur pengesa dhe sinjalizues, për shkak të rrezikshmërisë, ndërkohë që janë duke u ndërmarrë masa për rregullimin e komunikacionit. Ndërsa, sa i përket hapësirave në shesh që shfrytëzohen nga lokalet e gastronomisë, kritereve që duhet të plotësohen për shfrytëzim, Drejtoria e Shërbimeve Publike thotë se këto hapësira janë me pagesë për metër katror. Pronari i lokalit bën aplikim për shfrytëzim, pastaj është Komisioni përkatës që vlerëson se a pengohet lëvizja e qytetarëve, sa hapësirë ka të drejtë të shfrytëzohet. Kjo zakonisht bëhet prej muajit 5 deri në muajin 9. U theksua se gjatë kohës së pandemisë kanë qenë të liruar nga pages dhe është pare se lokalet i kanë zgjeruar hapësirat e shfrytëzuara. Nuk mund të bëhet kërkesë për hapësirën e gjelbëruar apo trotuaret, por vetëm për hapërsirën para lokalit.
Në fund të këtij diskutimi u nxorrën disa konkludime që qyteti i Podujevës nuk ka pasur shumë ndërtim dhe nuk është ngulfatur. U rekomandua që ndërtimet të zgjerohen dhe të mos përqëndrohen në qendër të qytetit. Gjithashtu, u theksua nevoja që të organizohen më shpesh tryeza ku diskutohen të mirat dhe mangësitë e zhvillimit urban të qytetit.
Diskutimi përfundoi në ora 12:00.