Artikulli është përkrahur nga Community Development Fund dhe financuar nga Ambasada e Suedisë në Kosovë. Ky artikull është punuar nga studentët kosovar Rinor Shahini, Fitore Sallteku dhe Fiona Behrami.
Pikëpamjet dhe mendimet e shprehura në këtë artikull janë ekskluzivisht të studentëve. Ato nuk pasqyrojnë politikën ose pozicionin zyrtar të SIDA-S, QEVERISË SUEDEZE, CDF apo KOSID.
HIDROGRAFIA E KOSOVËS
Në Kosovë janë 3 pellgje ujore të cilat rrjedhin në drejtim të 3 deteve, detit Adriatik, detit të Zi dhe detit Egje. Sipërfaqja ujëmbledhëse topografike e Kosovës përbën 11.64 km2. Pjesa dërrmuese e territorit të Kosovës i takon ujëmbledhësit te detit të Zi me 50.7%, rreth 43.5% i takon ujëmbledhësit të detit Adriatik dhe pjesa më e vogël prej 5.8% i takon se ujëmbledhësit të detit Egje.
Lumenjtë dhe pellgjet lumore
Rrjedhat ujore të Kosovës ndahen në 4 pellgje lumore: Ibri, Drini i Bardhë, Morava e Binçës dhe Lepenci Ujëmbledhësit të detit të Zi i përkasin këta lumenj: Sitnica me degët; (Llapi, Drenica), Ibri dhe Morava e Binçës. Drini i Bardhë me degët (Lumëbardhi i Pejës, Lumëbardhi i Prizrenit, Lumëbardhi i Deçanit, Lumi i Klinës, Mirusha, Ereniku, Plava dhe Tophulla) i përkasin Detit Adriatik. Ujëmbledhësit të Detit Egje i përkasin lumi i Lepencit me degën kryesore (Nerodime). Koeficienti i rrjedhës mund të sillet prej 3.93 l/sec/km2 (Morava e Binçës) e deri në 42.46 l/sec/km2 (Lumëbardhi i Deçanit). Gjatësinë më të madhe në kilometra brenda territorit të Kosovës me 122 km e ka Drini i Bardhë, ndërsa gjatësinë më të vogël në kilometra e ka Lumëbardhi i Prizrenit me 31 km2.
Reshjet
Rëndësinë më të madhe e kanë reshjet në formë të shiut në lugina dhe reshjet e borës në viset e larta malore (Bjeshkët e Nemuna dhe Sharr), ku në pjesën lindore të Kosovës, mesatarisht gjatë vitit bien diku mbi (600 mm), kurse në pjesën perëndimore mbi (700 mm). Mesatarja vjetore e të reshurave në Kosovë ndryshon prej 570 mm (Dardanë) deri 1408 mm (Junik), sipas të dhënave të regjistruara në stacionet matëse
Vërshimet
Përmbytjet apo vërshimet janë dukuri natyrore që ndodhin si pasojë e të reshurave me intensitet të lartë dhe shkrirjes së shpejtë të borës. Mosrregullimi i shtretërve të lumenjve si dhe mos mirëmbajtja e tyre ndikojnë në përmbytje në përmasa më të mëdha në Kosovë.
Në Kosovë vërshimet në shumicën e rasteve ndodhin në Pranverë (në muajt Mars dhe Prill), poashtu në Vjeshtë (në muajt Tetor dhe Nëntor). Hapësira territoriale administrative e Kosovës është e rrezikuar nga përmbytjet dhe vërshimet pothuajse në të gjitha luginat lumore (si p.sh. lugina lumore e Drinit të Bardhë dhe ujë rrjedhat që bashkohen me Drinin), lugina lumore e lumit Sitnica në rrafshin e Kosovës, lumit Lumi Lakuar (Kriva Reka) në Dardanë (Kamenicë), lumi Lepenc në Kaçanik – Han të Elezit, lumi Morava e Binçës në Gjilan, lumi Llap në Besianë (Podujevë), lumi Drenicë në Drenas, lumi Klina në Skenderaj dhe ujë rrjedhat e tjera të vendit.
Akumulacionet sipërfaqësore
Për plotësimin e nevojave për ujë të pijshëm, peshkim, ujitje, turizëm dhe për prodhimin e energjisë elektrike, janë ndërtuar disa diga për të grumbulluar ujin e përrenjve dhe lumenjve, përgjatë stinëve me prurje të mëdha dhe për ta përdorur atë gjatë stinëve kur reshjet janë shumë më të vogla dhe kërkesat jane më të mëdha. Kosova i ka disa akumulacione sipërfaqësore e ato janë: (Batllava, Radoniqi, Gazivoda, Përlepnica dhe Badovci), poashtu edhe një numër të liqeve të vegjël për ujitje.
HIDROCENTRALET
Kur uji është në një lartësi, ai ka energji potenciale të ruajtur në të. Kur ky ujë rrjedh poshtë, energjia e tij potenciale fillimisht shndërrohet në energji kinetike dhe më pas në energji mekanike me ndihmën e turbinave. Me përdorimin e një gjeneratori, energjia mekanike shndërrohet në energji elektrike.
Në Kosovë hidrocentralet që ekzistojnë në përgjithësi janë hidrocentrale pa liqene akumuluese dhe pa rezervuare të mëdha. Si shkak i potencialit të madh të rënies dhe terrenit të përthyer, pjesa dërrmuese e hidrocentraleve janë të ndërtuara nëpër vende malore si dhe në parqet kombëtare siç është parku i Sharrit dhe Bjeshkëve të Nemuna. Për arsye gjeografike Kosova nuk është vend që ka potencial shumë të madh hidroenergjetik.
KORNIZA LIGJORE DHE SHKELJET NË NDERTIMET E HIDROCENTRALEVE
Kosova ka akterë dhe korniza ligjore që i përmbushin të gjitha kriteret ligjore për të rregulluar fushëveprimin për punën e hidrocentraleve. Edhe pse me ligj është rregulluar që për shfrytëzimin e ujit për qëllime afariste duhet të sigurohet koncesioni, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, dhënien e të drejtës ujore e ka dhënë me leje ujore, që paraqet shkelje të Ligjit per Ujëra të Kosovës.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka anuluar dy leje të lëshuara përndërtimin e hidrocentraleve, mirëpo Ministria për Ekonomi dhe Ambient vazhdimisht ka mbajtur fshehur vendimet rreth hidrocentralit së bashku me grupin punues, më pas në janar të vitit 2021, 55 organizata joqeveritare nga e gjithë Kosova kanë kërkuar qasje në studimin e Prurjes së Pranueshme Ekologjike që ishte kusht i Lejes Ujore të lëshuar nga Ministria me 4 nëntor 2020 dhe ish dashur të sjellet nga KELKOSI më së largu 4 janar 2021, gjë që është shkelje flagrante e ligjit për qasje në dokumente publike.
Edhe Avokati i Popullit nxori një raport, ku tregon për shkeljet ligjore që janë bërë që nga viti 2013 kur ka filluar fillimi i ndërtimit të hidrocentralit në lumin Lumbardhi.
Që nga viti 2013 (koha e fillimit të ndërtimit të hidrocentralit) ka pasur shkelje tendicioze dhe të kornizës ligjore, duke shkelur kështu Ligjin për Rregullatorin e Energjisë (LIGJI Nr. 05/L-084), (LIGJI Nr. 05/L-084) , (LIGJI NR. 03/L-215 PËR QASJE NË DOKUMENTE PUBLIKE).
Në Kosovë kemi dy zona ku hidrocentralet veprojnë, njëra është në Rrafshin e Dukagjinit konkretisht në komunën e Deçanit në lumin Lumbardh, kurse tjetra është në Malet e Sharrit respektivisht komuna Shtërpcë në lumin Lepenc.
KONKLUZIONET DHE REKOMANDIMET
Përdorimi i energjisë hidrike në Kosovë ka përmasa të vogla, mirëpo ndotja dhe shkatërrimi i ambientit si pasojë e ndërtimit të hidrocentraleve është i madh.
Ndikimi i hidrocentraleve në Kosovë mund të themi është negativ. Në aspektin ekonomik nuk ka ndikuar pozitivisht në të mirë të shoqërisë apo komunitetit që jeton në ato pjesë, por gjithashtu edhe në aspektin e të drejtave të njeriut është një shkelje e rëndë. Si përfundim mund të themi se: ndërtimi i hidrocentraleve në këto zona ka qenë i panevojshëm dhe jo ligjor (shih Ligjin NR. 03/L-039 për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, neni 1 i këtij ligji ka për qëllim të sigurojë mbrojtjen e vendeve historike e kulturore në Republikën e Kosovës, nëpërmjet themelimit të Zonave të Veçanta të Mbrojtura.), meqenëse disa nga këto impiante janë bërë në parqet nacionale, sic është edhe Parku Nacional i Sharrit.