Më 27 korrik të këtij viti, Konsorciumi i Shoqërisë Civile Kosovar për Zhvillim të Qëndrueshëm KOSID mbajti konferencën për shtyp në Shtëpinë e Europës në mesin e një numri të madh të
anëtarëve të rinj, që ishin të pranishëm në këtë konferencë.
Në panel të kësaj konference ishin Dajana Berisha, bashkëthemeluese e KOSID; Jeta Xharra – bashkëthemeluese e KOSID; Ellen Frank Lajçi, drejtoreshë ekzekutive e organizatës ERA si dhe anëtare e KOSID; dhe Yllka Agusholli, aktiviste e KOSID.
Qëllimi i kësaj konference ishte prezantimi i letrës së dytë [1] që KOSID ia drejtoi Korporatës për Investime Private Jashtë Shtetit, OPIC, me argumentet dhe faktet e listuara që i tregojnë kësaj
Korporate se pse nuk duhet ta financojë ndërtimin e termocentralit të tretë me qymyr në Kosovë.
Në letër thuhet se mbështetja eventuale për termocentralin e qymyrit “Kosova e Re” do të ishte në kundërshtim me politikat OPIC-ut dhe DFC-së të cilat nuk e favorizojnë thëngjillin dhe inkurajojnë mbështetjen e energjisë së ripërtëritshme.
Letra vjen pas tërheqjes [2] së Bankës Botërore nga mbështetja e këtij projekti të rrezikshëm për mjedisin dhe njerëzit në Kosovë. Në mars të vitit 2019 përfaqësuesit e Contour Global në mbledhje të qeverisë, bënë të ditur se Contour Global është duke tentuar të marr kredi 400 milion euro prej Koorporatës OPIC për ndërtimin e termocentralit të tretë me qymyr. KOSID menjëherë u mobilizua dhe filloi hulumtimin se cilat janë kushtet që duhet të plotësohen që kjo bankë të japë kredi për projekte jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më 14 mars 2019, KOSID i dërgoj OPIC-ut letrën e parë [3] me argumentin kryesor se OPIC është bankë e themeluar në bazë të ligji të Kongresit Amerikan. Sipas parimeve, ligjeve dhe rregulloreve në të cilat është e bazuar kjo korporatë, KOSID ka grumbulluar një sërë argumentesh të cilat i tregojnë OPIC se pse nuk duhet ta përkrahë ndërtimin e termocentralit të tretë me qymyrin më të dëmshëm, linjitin.
Kjo bankë, punon me mandatin e Kongresit Amerikan, i cili kongres i jep përparësi investimeve në burime të ripërtëritshme. Kongresi i ka kërkuar OPIC-ut që t’i jepet trajtim preferencial
investimeve në energji të pastër, kjo është bërë ne bazë të një ligji të quajtur “Build” [4] që ka kaluar në Kongresin Amerikan i cili njëkohësisht detyron korporatën OPIC të analizojë vendet
në të cilat parashihet investimi, se a kanë kapacitet të prodhimit të energjisë përmes burimeve alternative, dhe nuk lejon dhënien e kredisë pa një vlerësim të tillë. Drejtorja Ekzekutive e BIRN Kosova, Jeta Xharra, në konferencën për shtyp, tha se OPIC, si institucion që i përgjigjet Kongresit Amerikan, do të duhej që politikat e veta në Kosovë t’i përqendronte në energji të ripërtëritshme.
“Ne e dimë që OPIC nuk e ka bërë analizën që të shikojë alternativa tjera të energjisë së ripërtëritshme për të investuar në Kosovë andaj e ftojmë të vijë në Kosovë dhe të shikojë
mundësitë e hatashme që ekzistojnë këtu për investime në energji alternative: kemi diell më shumë se Gjermania, kemi erë dhe kemi potencial gjeotermal për ata që ja duan Kosovës të
mirën me investime në energji të gjelbër”, tha Jeta Xharra.
Në letër thuhet se termocentrali i qymyrit nuk është ekonomikisht i qëndrueshëm dhe do të impononte rreziqe substanciale makroekonomike dhe zhvillimore për vendin dhe qeverinë e
Kosovës.
Haki Abazi, bashkëthemelues i KOSID, tha se Kosova gjendet në një fazë dramatike të zhvillimeve për ta ndryshuar drejtimin e zhvillimit energjetik të vendit. “Institucionet dhe qeveritë pa përjashtim kanë punuar dhe insistuar që Kosova të vazhdojë me qymyr përderisa ne në KOSID, i përkrahur nga ekspertë dhe organizata nga Evropa, SHBA dhe e gjithë bota, kemi refuzuar ta pranojmë qymyrin si zgjidhje dhe kemi kërkuar që investimet të bëhen në zhvillimin e qëndrueshëm duke rritur kapacitetet e energjisë së ripertëritshme, efiçiencës dhe ndërlidhjes me linjë transmisioni funksional me Shqipërinë”, tha Haki Abazi.
Ndërsa Dajana Berisha, bashkëthemeluese e KOSID, tha se zhvendosja e popullatës në vendin ku planifikohet ndërtimi i termocentralit është tërësisht e padrejtë. “Asnjë investitor i huaj nuk do të investonte një projekt në të cilin nuk ka konsensus të gjerë publik për një termocentral të ri me thëngjill. Nëse populli nuk e do një projekt të tillë, është e pamundur ë ai të financohet nga investitorë të huaj. Ky projekt nuk sjell zhvillim pasi që imponon zhvendosjen e 7 mijë banorëve”, tha Dajana Berisha.
Të gjitha detajet që u diskutuan në këtë konferencë për media mund t’i shihni në këtë link : https://www.facebook.com/kallxo/videos/1547155668752897/UzpfSTEzNDgxNDM2NTg2ODU3NDA6MTM0OTc4NzYwMTg1NDY3OQ/
Letrwn e parë dërguar OPIC mund ta lexoni këtu.
Letrën e dytë dërguar OPIC-ut mund ta lexoni këtu.
Letrën e tretë dërguar OPIC-ut mund ta lexoni këtu.