Një episod i tetorit të programit të BIRN Kosovës ‘Jeta në Kosovë’ mblodhi zyrtarë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, së bashku me përfaqësuesit e MATKOS Group, shoqërisë civile dhe Policisë së Kosovës, si dhe banorët e zonës për të diskutuar ndërtimin të hidrocentraleve në lumin Lepenc në jug të Kosovës.
Gjatë programit, Labinot Vitija, një përfaqësues i MATKOS, ndërmarrja që qëndron pas ndërtimit të hidrocentralit, premtoi se banorët lokalë kurrë nuk do të privohen nga uji i lumi për shkak të hidrocentraleve. “Asnjëherë nuk do të ndodhë që qytetarët të qëndrojnë pa ujë," tha Vitija. “Nëse ndodh, Ministria ka të drejtë të na ndëshkojë. Nëse banorët nuk besojnë në ligj, atëherë unë personalisht ju premtoj se qytetarët nuk do të mbesin kurrë pa ujë.”
Bekim Shyti nga Shoqata e Energjisë së Rinovueshme mbështeti argumentet e Vitisë, duke deklaruar se për sa kohë që rrjedh lumi, atëherë banorët nuk do të mbesin pa ujë. “Bizneset që po i ndërtojnë këto hidrocentrale nuk e dëmtojnë ambientin, nuk e marrin ujin dhe unë të garantoj që asnjë banor nuk do të mbetet pa ujë dhe nëse e ndalë Zoti, nuk kam çfarë të bëj, por nëse s’ka me pas ujë në lumë, Labinoti ka me i ndalë turbinat dhe ti nuk ke me mbet pa ujë”, ka thënë Shyti.
Mungesa e këshillimit dhe komunikimit me publikun?
Një pjesë e madhe e diskutimit mbi ndërtimin e hidrocentraleve në rajon është tema e seancave të diskutimit me publikun. Gjatë programit, tre zyrtarë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, MMPH, deklaruan që seancat e dëgjimit dhe diskutimit ishin mbajtur dhe se nënshkrimet nga qytetarët mbështetën ndërtimin e hidrocentralit. Sidoqoftë, vet investitori i hidrocentralit, MATKOS, ka deklaruar se përveç ministrisë dhe investitorëve askush tjetër nuk ka marrë pjesë në këto seanca dëgjimore publike.
Shpejtim Arifi, banor i fshatit Biti e Poshtme afër Shtërpcës, tha që asnjë seancë dëgjimore publike nuk ishte zhvilluar nga Komuna e Shtërpcës kur është dhënë leja për ndërtimin e hidrocentraleve.
Ai shtoi se kur banorët lokal u përpoqën të bënin pyetje gjatë një seance raportimi nga Ministri i Mjedisit për komisionin ndërministror të ujërave, ministri fajësoi komunat për mungesë takimesh. “Që atëherë, asnjë zyrtar komunal nuk ka ardhur për të ndarë dy minuta me ne, që duhet të jetë minimumi i demokracisë” tha Arifi.
Diana Metushi-Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, KDI, një OJQ që monitoron këtë çështje, gjithashtu ishte e pranishme në debat. Ajo deklaroi se banorët e zonës nuk u informuan asnjëherë për organizimin e dëgjimeve publike të mbajtura nga MMPH, dhe ato u mbajtën në një vend që ishte i vështirë për t’u qasur. MMPH ka konfirmuar vetëm organizimin e seancave dëgjimore publike, por deklaruan se nuk janë të sigurt nëse qytetarët ishin të pranishëm, që është arsyeja kryesore e një organizimi të tillë.
Metushi-Krasniqi shtoi se qytetarëve ende u mungojnë informacione se çfarë do të ndodhë gjatë procesit të ndërtimit si dhe ndikimi që do të ketë hidrocentrali kur të përfundojë.
Kërkohet një proces i ri
Afrim Lajçi nga Këshilli Ndërministror për Ujëra u involvua gjithashtu në këtë diskutim. Ai deklaroi se në të ardhmen duhet të lëshohet e drejta për të shfrytëzuar burimet ujore të Kosovës përmes një tenderi publik dhe jo me lejen e shfrytëzimit të ujit, pasi është më konkurues dhe proces transparent.
Lajçi gjithashtu deklaroi se ky proces do t’i lejojë ministrisë të përcaktojë vendndodhjen e ndërtimit të hidrocentralit e jo ky vendim të merret nga investitori, siç ka ndodhur deri tani. “Ministria duhet të përcaktojë vendet ku ka kapacitete për hidrocentrale dhe më pas të bëjë një thirrje të hapur ku njerëzit konkurrojnë me kritere specifike dhe të zgjidhet oferta më e mirë”, tha ai. “Në Kosovë koncesionet nuk janë aplikuar fare, përkundrazi ka pasur leje të dhëna për përdorim dhe shfrytëzim të ujit me kërkesë të një investitori”.