Prishtinë, 08 Qershor, 2018 – Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), ishte pjesë e diskutimeve ne tryezën e organizuar nga Ministria e Integrimit Evropian mbi gjetjet e “Raportit të Komisionit Evropian për Kosovë 2018” – raport i cili ofron perspektive të qartë evriopiane për vendin, dhe nënvizon përgjegjësinë e institucioneve vendore. Përgjatë tryezës u diskutuan aspekte të shumta për të cilat Kosova duhet shtuar përpjekjet në mënyrë që të shtyej tutje zhvillimin e qëndrueshëm të vendit dhe angazhimet drejt intgrimit të vlerave dhe perspektivës evropiane në Kosovë, të tilla si ngritja e cilësisë së arsimit, zhdukja e korrupsionit, dhe implementimi i duhur i politikave shtëtërore. Ndër të tjera, përgjatë diskutimit fokus morrën politikat e sektorit të mjedisit dhe energjisë në Kosovë, planet e veprimit dhe masat e marra deri më tani, si dhe u theksuan mundësitë kryesore dhe barrierat që çojnë drejt integrimit evropian.
Koordinatori i KOSID, z.Visar Azemi, ne panelin diskutues tha se zgjidhja e problemeve në sektorin e mjedisit dhe energjisë është i mundur vetëm përmes adresimit të problemeve sipas prioriteteve. “Raporti ka vënë në dukje se nuk ka pasur përparim në fushën e mjedisit dhe energjisë. Problemet e paraqitura tregojnë për ngecje ndërsektoriale në institucionet relevante në vend, andaj implementimi i strategjive të hartuara është mëse i domosdoshëm në mënyrë që të evitohet degradimi mjedisor, rritja e kostove shëndetësore, si dhe ngecja ndaj përmbushjes së kritereve drejt integrimit evropian,” tha Azemi.
Tutje, ai theksoi se insitucionet përgjegjëse në vend janë duke tentuar të shtyejnë para kontratën e TC “Kosova e Re” – kontratë kjo e cila bie në kundërshtim me tri parime të integrimit, si: ndihmën shtetërore, konkurrencën dhe tregun e liberalizuar të energjisë. Azemi u shpreh se: “Kosova aktualisht po vazhdon të mbështetet pothuajse ekskluzivisht në linjit si burim energjie, dhe po zhvillon bisedime për ndërtimin e një termocentrali të ri me bazë thëngjillin, ku si rezultat, bën që Kosova të përballet me probleme të rënda të ndotjes së ajrit. Prandaj, Kosova duhet të fokusohet në investime në efiçiencën e energjisë si burim shtesë i energjisë, në promovimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme dhe në përmbushjen e kritereve për integrim.”
Gjithashtu, Azemi diskutoi edhe rreth sistemit aktual të menaxhimit të mbeturinave në Kosovë, ku për faktin se shumica e mbeturinave përfundojnë në deponi ilegale, bën që ky të jetë sistem i paqëndrueshëm për ambientin mjedisor në vend. Andaj, duke marrë në konsideratë zhvillimet aktuale në këto fusha kyqe, Azemi cilësoi se Kosova mbetet në fillim të përpjekjeve të saj drejt integrimit Evropian, dhe se ka shumë punë për tu bërë për ta arritur këtë cak.
Në fjalën e fundit, Azemi theksoi rëndësinë e adaptimit të politikave shtetërore në hap me trendet dhe direktivat e vendosura nga Bashkimi Evropian, dhe se ndër të tjera, vetëdijësimi qytetar, zhvillimi i kapacitetit njerëzor, si dhe orfimi i incentivave, janë të rëndësishme për të paraqitur një zgjidhje më të mençur për paraafrimin e Kosovës me vendet e rajonit e më gjërë.