Prishtinë, 4 Qershor, 2018 – Në kuadër të Javës për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë, Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), organizoi konferencën me temë “Tranzicioni i Energjisë në Kosovë,” ku u shtjellua rreth stistemit të energjisë në Kosovë, synimit drejt një zhvillimi të qëndrueshëm duke rritur përfshirjen e energjisë së ripertërishme, dhe përmirësimin e efiçiencës së energjisë. Konferenca u nda në dy panele diskutuese, ku me akterët relevant, vendor e ndërkombëtar, u diskutua rreth potencialit, sfidave dhe benefiteve nga maksimizimi i efiçencës së energjisë dhe energjisë nga burimet e ripërtëritshme.
Pjesemarrës në panelin e parë ishin Dirk Buschle nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Dardan Sejdiu nga Komisioni parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Kai Hofmann nga GIZ, si dhe Martin Schön-Chanishivili nga organizata partnere e KOSID, Germanwatch.
Përgjatë diskutimeve në panelin në fjalë, u tha se Kosova duhet te ndryshojë rrënjësisht mënyrën e prodhimit të energjisë, dhe tw arrijw targetet nw kuadwr tw Traktatit tw Komunitetit tw Energjisw. Kosova ka potencial për përfshirjen e burimeve alternative në prodhimin e energjisë, dhe është e domosdoshme eksplorimi i të gjitha burimeve të ripërtëritshme të energjisë që mundësojnë decentralizim të gjenerimit të energjisë dhe diversifikim të burimeve energjetike. Gjithashtu u cek se tranzicioni i energjisë në vend parasheh një planifikim më afatgjatë, dhe se planifikimi me kontekst vendor është i rëndësishëm, andaj implementimi i politikave dhe ligjeve në sektorin në fjalë, të implementohen në mënyrë të duhur.
Theks të veçantë në panelin diskutues morri edhe marrëveshja e nënshkruar për ndërtimin e TC “Kosova e Re,” ku u tha se si i tillë, ky TC nuk pasqyron kahjen që Kosova duhet marrë për të zhvilluar sektorin e energjisw, sidomos kur merren parasysh problemet që do të paraqiten në aspektin mjedisor e social, si dhe në rrugën drejt Integrimit Evropian të Kosovës. Andaj, u potencua se edhe pse Kosova është një vend me potencial të madh për tranzicion të energjisë, ndërtimi i kapaciteteve të reja me fokus thëngjillin paraqesin pengesa për përfshirjen e burimeve të ripërtëritshme dhe efiçiencës së energjisë në miksin e energjisë.
Përgjatë diskutimeve në panel, Konferenca i bëri thirrje Sekretariatit për të lëshuar një qëndrim publik mbi përputhshmërinë e Kosovës së Re me kornizën ligjore të Kosovës, kornizën ligjore të Traktatit të Komunitetit të Energjisë dhe politikat energjetike të BE-së.
Tutje, si përfundim, u theksuan benefitet e tranzicionit të energjisë në Kosovë, si krijimi i bizneseve të reja, e vendeve të reja të punës, rritja dhe zhvillimi ekonomik në vend, intensifikimi i bashkëpunimit rajonal, si dhe stabilizimi i komuniteteve rurale.
Edhe pse Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ishte i ftuar si panelist në konferencën më të madhe për Zhvillim të Qëndrueshëm në vend, Ministri refuzoi pjesëmarrjen me arsyetimin se nuk dëshiron të duket si i vetmi mbështetës për termocentralin “Kosova e Re.”
Tutje, në një intervistë me Jeta Xharra, Dirk Buschle nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë tha se “ndihma shtetërore është një element që lidhet ngushtë me çështjen e një tregu të hapur dhe rajonal. Në rastin e Marrëveshjes së Blerjes së Energjisë të projektit ‘Kosova e Re’, gjetja fillestare e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë është se mbrojtja nga ‘rreziqet’ për investitorin është aq e lartë saqë duhet të justifikohet. Aspekti tjetër është çmimi – ekziston një çmim maksimal që është definuar në marrëveshje. Ky çmim është më i lartë se çmimet aktuale të tregut. Ne besojmë se tregu në të ardhmen, dhe duhet të kemi parasysh se kjo marrëveshje është marrëveshje 20 vjeçare, do të jetë më i hapur, do të ketë zgjedhje më të mira për konsumatorin, më shumë bashkëpunim rajonal – dhe vendimi qe të ‘bllokohet’ Kosova në këtë situatë përmes Marrëveshjes së Blerjes së Energjisë është në të vërtetë një akt i rrezikshëm.”
Kurse paneli i dytë diskutues, me temë “Efiçienca e Energjisë dhe Burimet e ripërtërishme,” u përbë nga Nezir Myrtaj, MZHE, Avni Sfishta nga GIZ, Pëllumb Gjinolli nga GET Technology, Venera Demukaj nga RIT Kosovo, si dhe Anes Jusic nga EBRD.
Përgjatë diskutimeve u theksua se Kosova duhet të fokusohet në investime në efiçiencën e energjisë si burim shtesë i energjisë, në promovimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme dhe në agjendën evropiane të integrimit. Tutje, sipas panelistëve, energjia e ripërtëritshme dhe efiçienca e energjisë ofron mundësi konkrete të cilën Kosova duhet përcjellur për zgjidhjen e barrierave prezente ne sektorin e energjisë. Gjithashtu, u përmend nevoja për ofrimin e mundësive dhe prioritizimin e burimeve të energjisë në agjendën e zhvillimit të energjisë në vend, ku u tha se investimet në BRE dhe EE do të gjenerojnë kursime të vërtetueshme të shpenzimeve për energji dhe do të ofrojnë përfitime të shumta sociale, ekonomike e mjedisore.
Tutje, u diskutua rreth politikave mbi promovimin e efiçiencës dhe burimeve të ripërtrishme si instrumente në tranzicionin energjetik dhe se institucionet vendore duhet të shohin këtë proces si të domosdoshëm për stabilizimin e sektorit të energjisë në vend. Fokus mori edhe rëndësia e krijimit të Fondit për Efiçiencë të Energjisë, përcaktimi i caqeve të efiçiencës së energjisë dhe arritjen e tyre, zhvillimi i tregut të shërbimeve energjetike dhe masat tjera të efiçiencës së energjisë. Tutje, tema e panelit u diskutua edhe nga aspekti akademik, ku u cek se është më se e rëndësishmë investimi në shkencë dhe inovacion, edukimi i gjeneratave të reja dhe intensifikimi i rolit që arsimi ka në këtë proces.
Java e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë organizohet për herë të parë në Kosovë si bashkëpunim i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Përfaqësueses së Posaçëme të Bashkimit Evropian në Kosovë/Zyrën e Bashkimit Evropian, Qeverisë Gjermane (GIZ), dhe KOSID.
###