10 shkurt 2014 – Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm, KOSID shpreh shqetësimin e tij në lidhje me rrezikshmërinë me të cilën janë përballë fëmijët e disa prej cerdheve, shkollave fillore dhe të mesme të Komunës së Prishtinës, si pasojë e djegies së karburantëve për nxemjen e këtyre shkollave.
Shëndeti i popullatës në përgjithësi dhe i fëmijëve në vecanti është një e drejtë themelore e njeriut dhe një detyrim ligjor i institucioneve shtetërore për ta mbrojtë me cdo kusht atë. Si i tillë shëndeti duhet te mbrohet e te respektohet prej të gjithë institucioneve publike, shoqërisë dhe individëve.
Analizimi i cilësisë së karburantëve dhe sasia e sulfurit e cila është gjendur nëpër rezervaret e cerdheve dhe shkollave të Komunës së Prishtinës duhet të kryhet deri në fund. Organet përkatëse duhet të sigurojnë, që ambienti në të cilin mbahet mësimi, të jetë i sigurt për nxënësit dhe personelin arsimor për të vijuar punën nëpër këto institucione arsimore.
Një gjë e tillë kërkohet edhe nga Direktiva e BE-së për cilësinë e ajrit, e cila është standard që Kosova duhet ta ketë parasysh patjetër, sepse jo vetëm që është e dëmshme për ambientin, por është mjaft e rrezikshme edhe për shëndetin e popullatës.
KOSID në punën e vet vazhdimisht i ka dhënë prioritet shëndetit publik dhe në këtë rast gjykon, se duhen ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura për të përcaktuar masën e lejuar të përdorimit të derivateve të cilat nuk e rrezikojnë shëndetin e nxënësve dhe popullatës në përgjithësi. Shëndeti nuk duhet kurrsesi të shfrytëzohet për konsum politik ditor të asnjë partie politike.
KOSID kërkon nga të gjitha isntitucionet që të shmangin deklaratat politike dhe të përkushtohen për mbrojtjen e shëndetit publik. Profesionistët Shëndetësor për Paqe dhe Përgjegjësi Shoqërore dhe Asociacioni i Pulmologëve të Kosovës, pjesë të KOSID, bëjnë thirrje, që të respektohen standardet dhe normat e përdorimit të materieve të natyrës së sulfurit konform standardeve të lejuara dhe mos të vihet në pikëpyetje shëndeti i popullatës.