Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qendrueshëm (KOSID) kundërshton procesin e hapjes së tenderit për Termocentralin ‘Kosova e Re’ me vetëm një ofertues, duke u bazuar në Nenin 32.4 të Ligjit për Prokurim Publik sipas të cilit, ‘nëse gjatë zbatimit të procedurave të prokurimit, pranohen më pak se dy (2) tenderë të përgjegjshëm ose, kur është e zbatueshme, kërkesa për pjesëmarrje, autoriteti kontraktues duhet të anulojë aktivitetin e prokurimit.’ Duke pasur parasysh që për Termocentralin ‘Kosova e Re’ është vetëm një ofertues (Contour Global), ky proces bije ndesh direkt me këtë ligj.
Vlenë të ceket, se që nga fillimi ky projekt u përcoll me procedura jo transparente dhe u shpenzuan shuma të pajustifikuara parash për asistencë teknike. Për më tepër, i tërë ky proces rreth një projekti me impakt të madh financiar dhe mjedisor është duke ndodhur në fund vit dhe në një periudhë të tranzicionit institucional.
Po ashtu, Qeveria e Kosovës është duke ndjekur standarde të dyfishta, me rastin e hapjes së ofertave për privatizimin e ndërmarrjeve publike. Përderisa me hapjen e ofertave për Post Telekomin e Kosovës vitin e kaluar, Qeveria kishte ftuar mediat dhe akterët tjerë të interesuar që të marrin pjesë në hapjen e ofertave, me rastin e Projektit ‘Kosova e Re’, hapja e ofertave u mbajt në fshehtësi të plotë.
Për më tepër, është shqetësuese intervenimi i politikës në këtë projekt. Ende pa u mar vendimi përfundimtar nga Komiteti Drejtues i Projektit (KDP), ish Kryeministri i Kosovës dhe tani ministri i MPJ, Hashim Thaçi, në një postim të tij në Facebook, lajmëroi se ky do të jetë ‘vendimi më serioz i cili krijon zhvillim ekonomik dhe vende të reja të punës.’
Projekti ‘Kosova e Re’ nuk është i vetmi i cili shkel standardet e privatizimit dhe investimeve në Kosovë, por, duke mar parasysh ndjeshmërinë e projektit, ndikimin mjedisor dhe shëndetësor, projekti ‘Kosova e Re’ nuk guxon të trajtohet si projektet e gjerëtanishme.
Nëse nuk respektohen standardet procedurale dhe ka një mori shkeljesh ligjore deri në dhënien e tenderit, si mund të presim respektim të standardeve të ndërtimit dhe operimit nga kompania eventuale fituese?!
Prandaj, KOSID kërkon nga Komiteti Drejtues i Projektit (KDP) TC ‘Kosova e Re’, që të anulojë procesin e tenderit për këtë projekt dhe mos të vazhdohet më tutje me shkeljen e ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës.
21 dhjetor 2014