22 Tetor, 2015 – Në Ditën Ndërkombëtare të Energjisë, Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) së bashku me Balkan Green Foundation (BGF), në kuadër të Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) organizuan tryezë diskutimi me temë: “Zhvillimi i potencialit të energjisë nga Burimet e Ripërtëritshme”. Në panelin diskutues morën pjesë Besa Zogaj Gashi, Zv. Ministre e Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Ymer Dullaj nga Eko Farm, Gazmend Haxholli, J.v.G Jaha Energy, Rinora Gojani, Hulumtuese në INDEP dhe Visar Azemi nga KOSID.
Në fokus të diskutimit në mes të akterëve të ndryshëm ishin kushtet, procedurat dhe potenciali për investime në Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë (BRE) në Kosovë, si dhe hapat e nevojshëm për lehtësimin dhe maksimizimin e përdorimit të BRE-ve në Kosovë.
Zv. Ministrja e Zhvillimi Eknomik, Besa Zogaj Gashi, theksoi zotimin e Ministrisë për lehtësimin e procedurave për licenca në kuadër të iniciativës për themelimin e ‘One Stop Shop’ për BRE-të, kjo ngase edhe në vlerësimin e Kosovës për ‘Doing Bussiness’ gjithashtu vlerëson edhe zhvillimet për prodhimin e energjisë nga BRE-të. Z. Haxholli nga Jaha Energy, e cila është kompania e parë në Kosovë që do të bëjë prodhimin e paneleve solare, shprehu shqetësimin pikërisht për faktin se afatet e gjata për marrjen e licencave po bëjnë largimin e investitorëve të mundshëm.
Gjithashtu, në tryezë u paraqit nevoja për projekte dhe skema mbështetëse për sektorin privat dhe kompanitë që bëjnë përdorimin e biomasës për prodhim të energjisë, siç është rasti i Eko Farm. Një gjë e tillë do të bënte që të instalohen sa më shumë panele solare dhe rrjedhimisht të ulet konsumi i përgjithshëm i energjisë në Kosovë.
Ndër rekomandimet kryesore u theksuan caqet të cilat Qeveria e Kosovës duhet të vendosë përtej vitit 2020, në mënyrë që të ju jepet mundësi bizneseve për të investuar në BRE dhe t’i maksimizojë investimet për ato burime ku ka kërkesë dhe potencial zhvillimi. Në rekomandimet tjera u përfshi ideja e bërjes së fushatave sensibilizuese për qytetarët në mënyrë që të promovohen sa më shume investimet në kolektorë solar siç edhe bëhet në shumë vende të botës dhe ato të rajonit. Një tjetër propozim kishte të bënte me heqjen e barrierave nga KEDS për kyçje në rrjet për prodhuesit e energjisë solare nga centralet solare por edhe ato private si dhe caktimin e feed-in tarifave për tepricat e energjisë nga prodhuesit e vegjël privat për shitje të energjisë në rrjet. Gjatë diskutimit, u shtrua edhe nevoja e harmonizimit të ligjeve për funksionalizimin e BRE-ve në vend.