24 Nentor, 2015 – Konsorciumi i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) shpreh shqetësimin e thellë mbi vendimin e fundit të Komitetit Ndërministror për Projektin ‘Kosova e Re’, për shpalljen e kompanisë Contour Global si ofertues i preferuar për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’. Këtij vendimi i paraprinë negociatat direkte të Qeverisë së Kosovës, të udhëhequra nga Ministri Stavileci me kompaninë ‘Contour Global’, të cilat janë mbajtur larg opinionit publik. Këto vendime jo-transparente edhe një herë dëshmojnë mos-seriozitetin e Qeverisë së Kosovës për të zgjidhur problemet e sektorit të energjisë ne vend, duke marrë vendime në dëm të interesit të Kosovës. Për më shumë, deklaratat e ministrit Stavileci dëshmojnë për paqartësi në mënyrën e financimit të projektit, ku kontributi i buxhetit të Kosovës do të jetë 0%, i investitorit privat 30% ndërsa pjesa tjetër e shumës prej 700 milion euro nuk dihet se nga ku do të sigurohen.
Procesi i tenderimit për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’ ka vazhduar në kundërshtimme Ligjin për Prokurimin Publik, i cili nuk lejon vazhdimin e procesit me një ofertues të vetëm.Kjo pako tenderuese ka pësuar ndryshime rrënjësore dhe nuk përkon aspak me atë të iniciuar në fillim, ku kompania ‘Contour Global’ ishte para kualifikuar. Me ane të këtyre ndryshimeve, Qeveria e Kosovës u ka pamundësuar kompanive të tjera që ishin pjesë e këtyre proceseve të konsideronin këto ndryshime për të qëndruar në garë.
Ky proces ka lënë anash edhe Kuvendin e Kosovës, institucion i cili do të duhej të miratonte çfarëdo ndryshimesh që kanë ndodhur në pakon tenderuese. Kushtet me të cilat po negocion ministri Stavileci me kompaninë private, nuk përkojnë në asnjë pikë me Strategjinë e Energjisë dhe vendimin e Kuvendit të Kosovës marrë më 1 prill 2010. Kur në këtë faza procesi zhvillohet pa përfshirje parlamentare dhe pa respektuar Kuvendin si institucionin më të lartë vendimmarrës, nuk mund të presim se do të ketë mbikëqyrje parlamentare në fazat e mëvonshme.
Investimi në këtë projekt, që kalon shumën prej 1 miliard eurove, do të ketë një rritje të papërballueshme të çmimit të energjisë elektrike. Një çmim i tillë i energjisë do të lë jashtë shumë familje me asistencë sociale nga rrjeti i energjisë, për shkak të pamundësisë për të paguar një çmim të lartë të energjisë elektrike.