11 Janar, 2016 – Termocentrali i propozuar Kosova e Re do të dëmtojë familjet në secilin grup të të ardhurave dhe do të gjymtojë ekonominë e brishtë; kostot e ndërtimit do të tejkalojnë së tepërmi vlerësimet zyrtare; paralajmërime rreth financimit; përfshirja e SHBA-së nënkupton tërheqje nga zotime për klimën.
Instituti për Analiza Ekonomike dhe Financiare të Energjisë publikoi një studim i cili konstatoi se termocentrali i propozuar me djegie të thëngjillit Kosova e Re ka gjasa të ngris çmimet e energjisë elektrike në Kosovë për 50 për qind dhe të dëmtoj ekonominë e këtij vendi të vogël.
Studimi “Termocentrali i Propozuar Kosova e Re: Barrë e Panevojshme me Çmim të Paarsyeshëm,” i realizuar me Konzorciumin Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) konstaton se Banka Botërore dhe qeveritë e SHBA-së dhe Kosovës duhet ta ri-mendojnë mbështetjen e tyre për ketë projekt.
“Termocentrali Kosova e Re është një hap social dhe financiar prapa për Kosovën,” tha Tom Sanzillo, drejtor i financave i IEEFA-së dhe bashkautorë i raportit me David Schlissel, drejtor për analiza dhe planifikim të resurseve.
Koordinatori i KOSID-it Visar Azemi tha se projekti do të bëj dëm të madh. “Ai do të shtrydh buxhetet familjare të kosovarëve të çdo grupi të të ardhurave, duke e shndërruar energjinë elektrike në luks për shumëkënd,” tha Azemi. “Ai përbën një kërcënim serioz për shëndetin ekonomik dhe fiskal të shtetit.”
Raporti konsideron se ndërtimi i Termocentralit Kosova e Re e tejkaluar tepër shumë koston e parashikuar të qeverisë prej 1.0 miliardë eurosh. Ai i vlerëson këtë kosto afër 4.2 miliardë euro në kohën kur termocentrali do të filloj së funksionuari, siç është planifikuar në vitin 2021 dhe konstaton se është financiarisht i paqëndrueshëm pa një subvencionim masiv.
Qeveria e Kosovës në nëntor deklaroi se ajo dëshironte të vazhdonte me ndërtim dhe se do ta bënte ketë me mbështetjen e Bankës Botërore dhe me investim nga një zhvillues i vetëm, ContourGlobal me bazë në Nju Jork.
IEEFA konstaton se në qoftë se ndërtohet termocentrali:
– Familja mesatare kosovare do të paguaj 12.9 për qind të të ardhurave të tyre për energji elektrike, dy herë më shumë se që paguajnë shumica e familjeve evropiane.
– Familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme në Kosovë do të paguajnë 18 për qind të të ardhurave të tyre vjetore për energji elektrike.
– Familjet me të ardhura shumë të ulëta do të paguajnë 39.7 për qind të të ardhurave të tyre për energji elektrike.
– Kostoja e energjisë elektrike me pakicë do të rritet nga 33 deri në 50 për qind.
“Përkundër debatit dhjetë vjeçar dhe miliona dollarëve të shpenzuara në studime profesionale të financuara nga Banka Botërore, askush nuk e ka shtruar pyetjen se sa do t’i kushtoj ai qytetarëve,” tha Sanzillo. “Kosovarët edhe ashtu paguajnë tepër shumë për energjinë elektrike. Ky termocentral do të jetë veçanërisht i dëmshëm për familjet me të ardhura të ulëta, duke i detyruar njerëzit të zgjedhin ndërmjet pagesës për energjinë elektrike, ngrënies dhe të qenit në gjendje të blejnë gjëra e tjera të domosdoshme themelore.”
Termocentrali Kosova e Re është manifestimi i fundit i një projekti që për herë të parë ka dal në sipërfaqe para një dekade dhe përkrahësit e të cilit kanë kërkuar mbështetje nga jashtë për disa vite.
Raporti po ashtu bën disa paralajmërime lidhur me financimin e këtij projekti:
– Termocentrali do të kushtoj më shumë se që supozon qeveria e Kosovës, mund të mos funksionoj siç është parashikuar dhe/ose kostot e tij operative mund të jenë dukshëm më të larta se sa që pritet.
– Barra e propozuar e borxhit prej 945 milionë eurosh do të shkaktoj një trysni tepër të madhe në sistemin bankar të vendit dhe do të largoj investimet e reja në fushat e tjera të ekonomisë.
– Duke e marrë parasysh projektin me një ofertë të vetme aq të kushtueshme sa TC Kosova e Re, qeveria është duke dorëzuar kontrollin vendor mbi sistemin e saj të energjisë elektrike, qasjen në të hyrat e tij, vendimet themelore organizative siç është punësimi apo largimi i punëtorëve dhe rritjen e tarifave në të ardhmen.
– Planet për termocentralin e ri bazohen në supozime optimiste për rritjen ekonomike; nëse termocentrali funksionon nën kapacitetin e pritur për shkak se rritja ekonomike do të jetë më e ulët se që pritet, energjia elektrike do të bëhet edhe më e shtrenjtë.
– Asnjë bankë investuese ose grup bankash investuese nuk ka shprehur interesim të financoj ketë projekt, që është një indikacion se as ekipi investues Kosovar e as marrëveshja nuk janë financiarisht e leverdishme.
– Deklaratat e fundit mbështetëse nga Banka Botërore dhe qeveria e SHBA-së i janë në kundërshtim me politikat e deklaruara për ndryshimet klimatike dhe varfërinë nga Banka Botërore dhe Qeveria e SHBA-së dhe të dyja rrisin gjasat që kostot e projektit të Termocentralit Kosova e Re të rriten edhe më shumë pasi që pjesëmarrësit në ketë proces zhvillimor e shfrytëzojnë përkrahjen politike për avantazhe financiare.
– Detajet e bëra publike për projektin janë jo të plota dhe mungon transparenca.’
“Kosova ka alternativa ndaj ndërtimit të termocentralit të panevojshëm më një çmim kaq të paarsyeshëm,” tha Azemi. “Niveli i subvencionimit të nevojshëm për të mbështetur termocentralin me thëngjill është i jashtëzakonshëm. Zbatimi i masave për efiçencë të energjisë dhe instalimi i energjisë së ripërtërishme në Kosovë janë më pak e kushtueshme se sa ndërtimi i një termocentrali më thëngjill, janë përdorim më i mirë i subvencioneve dhe do të stimulonin zhvillimin ekonomik, do të krijonin vende pune dhe do të shërbenin si mbrojtëse afatgjate kundër rritjes të kostos së energjisë.”