14 Nëntor, 2016 – Premtimet për vende të reja pune në sektorin e qymyrit të jug-lindjes së Evropës janë të tepruara, tregon një raport i ri nga Bankwatch. Gati asnjë operim i qymyrit në rajon nuk është ekonomikisht i qëndrueshëm, dhe si rezultat, shumë punëtorë të industrisë së qymyrit, sidomos në miniera, janë të prirur që të humbasin punën e tyre, edhe në qoftë se realizohen planet e shumta për termocentralet e reja të energjisë. Qeveritë, punëtorët e qymyrit dhe komuniteti i gjerë duhet të punojnë së bashku për një tranzicion të drejtë.
Analiza mund të shkarkohet këtu: http://kosid.org/file/repository/coal_jobs_fraud.pdf
Në një analizë të parë të këtij lloji për rajonin, raporti i Bankwatch hulumton premtimet për vende pune në të ardhmen në minierat e qymyrit dhe termocentraleve të Evropës juglindore [1]. Gjetjet tregojnë se bisedat për rritjen e punësimit, apo edhe mirëmbajtjen e niveleve të tanishme, janë në shumicën e rasteve krejtësisht të pabaza.
Shembulli më i spikatur është termocentrali prej 500 MW ‘Kosova e Re’. Përfaqësuesit e ContourGlobal, ofertuesi i vetëm për projektin, janë cituar në media duke pretenduar se 10,000 vende të reja pune do të krijohen gjatë fazës së ndërtimit, dhe operimi i termocentralit do të mund të ofrojë punësim për 500 njerëz. Ky raport megjithatë, vlerëson se, bazuar në përvojën e fundit me termocentralin Stanari në Bosnje e Hercegovinë, ndërtimi i termocentralit ‘Kosova e Re’ do të kërkonte vetëm rreth 1,600 punëtorë, shumë prej të cilëve ka gjasa të jenë specialistë të huaj. Dhe në qoftë se ndërtohet, termocentrali nuk ka gjasa që të punësojë më shumë se 200 punëtorë.
Gjetjet e raportit i kontribuojnë provave në rritje se qymyri është gjithashtu duke u bërë shpejt një obligim financiar – krahas ndikimeve të saj të tmerrshme në shëndetin publik dhe në ndryshimet klimatike.
Shumica e minierave dhe termocentraleve në rajon janë në pronësi të shtetit dhe kanë vështirësi për të realizojnë profit. Autorët e raportit paralajmërojnë se, duke qenë se janë përkushtuar të bashkohen në një treg rajonal të energjisë elektrike, shtetet nuk mund të llogarisin më mbi subvencionet si një mbështetje jetësore për sektorin problematik të qymyrit.
Në mbarë botën, punësimi në sektorin e energjisë së ripërtëritshme vazhdon të rritet, thekson raporti, dhe me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Parisit në fillim të këtij muaji, perspektivat për investime të energjisë së pastër janë më të mëdha se kurrë. Në të njëjtën kohë, qeveritë duhet të sigurojnë se një tanzicion i mirë-menaxhuar, përfshirës dhe i drejtë ndaj mjedisit dhe shoqërisë, merr në konsiderate edukimin dhe trajnimin e punëtorëve mbi teknologjitë e energjisë së qëndrueshme, si dhe planet për mbylljen dhe rehabilitimin për minierat e qymyrit, termocentralet dhe deponitë e hirit. Të gjitha këto duhet të përfshijnë punonjësit dhe komunitetet e tyre për të pasur mundësi për sukses.
“Fakti që sektori i qymyrit i Evropës juglindore nuk do të kthehet në nivelet aktuale të punësimit është një elefant i madh në dhomën e politikave të energjisë. Në vend që të ecim përgjumur në një katastrofë sociale, është koha e duhur që autoritetet të ndalojnë së shtiruri dhe të fillojnë në zhvillimin e një tranzicioni të drejtë për punonjësit dhe komunitetet e tyre të cilët varen nga qymyri,” thotë Pippa Gallop, Koordinatore e Hulumtimit në Bankwatch dhe bashkë-autore e raportit.
Ioana Ciuta, Koordinatore e Energjisë në Bankwatch, dhe bashkë-autore e raportit thotë: “Shtatë vende të BE-së tashmë janë larguar nga qymyri, dhe një numër i madh i vendeve të tjera janë duke bërë plane konkrete për ta bërë të njejtën gjë. Hartuesit e politikave duhet të pranojnë se zhdukja e qymyrit është e pashmangshme, dhe është përgjegjësi e tyre për të siguruar që punëtorët në këtë industri nuk do të jenë ata që do të paguajnë çmimin kur ajo të mbyllet përfundimisht.”
[1] Raporti përfshin Bosnje-Hercegovinën, Kroacinë, Greqinë, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi, Rumaninë dhe Serbinë.