Prishtinë – 15 Dhjetor, 2016– Konsorciumi Kosovar i Organizatave të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), organizoi konferencë për media për të publikuar gjetjet e Raportit Hetues të Panelit të Inspektimit të Bankës Botërore për zhvendosjen e dhunshme të banorëve të fshatit Hade në Obiliq. Raporti vlerëson dhe vërteton se banorëve të Hades iu janë shkaktuar dëme te konsiderueshme dhe të pa-riparueshme gjatë zhvendosjes, në mënyrë që t’i hapet rrugë mihjeve për termocentralin e propozuar ‘Kosova e Re’.
Kohë më parë, Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, kanë shpallur fshatin Hade si zonë me interes të veçantë ekonomik, për shkak të mihjeve sipërfaqësore. Si rezultat i kësaj u zhvendosën shumë banorë nga shtëpitë e tyre, ndërsa pjesa tjetër e fshatit Hade mbeti në izolim total, dhe me ajër të ndotur. Tash e sa kohë kjo situatë e rëndë ende mbizotëron, ku një numër i madh i banorëve të këtij fshati, prezent në konferencë, u shprehën se kanë mbetur pa kushte elementare për jetesë, tashmë për t’i bërë vend mihjeve për termocentralin e ri të planifikuar, Kosova e Re.
Koordinatori i KOSID, Visar Azemi, tha se është urgjente gjetja e një zgjidhje për banorët e fshatit Hade të cilët për shumë vite janë pre e qëllimeve vetanake të Institucioneve në vend vetëm e vetëm për t’i dhënë përparësi asaj që ata e quajnë zhvillim ekonomik i vendit. “Ne si përfaqësues të shoqërisë civile kemi qenë çdoherë pranë banorëve të fshatit Hade duke i mbështetur në takime të ndryshme me institucione relevante e protesta, mirëpo kemi hasur vetëm në stagnim të gjendjes dhe cënim të vazhdueshëm të të drejtave dhe pronave të banorëve në fjalë. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë nga Qeveria e Kosovës dhe Banka Botërore për gjetjen e zgjidhjes për këta banorë. Andaj, nuk do të tolerojmë që kjo situatë të vazhdoj të mbetet e tillë, pasi që kundërshtojmë fuqishëm shkeljen e të drejtave të banorëve, dhe bëjmë thirrje institucioneve relevante të ndërmarrin hapa konkrete për t’iu siguruar banorëve të pjesës së mbetur të fshatit Hade, jetesë të dinjitetshme – atë se çfarë në të vërtetë e meritojnë,” u shpreh Azemi.
Dajana Berisha, Drejtoreshë Ekzekutive e Forumit për Iniciativa të Qëndrueshme (FIQ, organizatë anëtare e KOSID, tha se kjo situatë mbizotëron tashmë disa vite, ku shumë prej banorëve të fshatrave përreth Obiliqit janë nxjerrur dhunshëm nga pronat e tyre nga forcat policore, duke parë shkatërrimin e shtëpive të tyre brenda natës. “KOSID ka paraqitur ankesën tek Paneli i Inspektimit i Bankës Botërore, insitucion i pavarur i krijuar nga Banka në fjalë për monitorimin e projektetve në të cilat Banka është e involvuar, ku kemi shprehur shqetësimet për procesin e zhvendosjes së banorëve të fshatit Hade. Paneli i Inspektimit ka ardhur për të hulumutar gjendjen në terren dhe ka publikuar raportin i cili vërteton ankesat e banorëve për dëmet e konsiderueshme dhe të pa-riparueshme të shkaktuara gjatë zhvendosjes, për t’i hapur rrugë mihjeve për termocentralin ‘Kosova e Re’. Sipas Panelit të Inspektimit, përcaktimi i Komunës së Obiliqit si zonë me interes të veçantë ekonomik, nuk është në pajtueshmëri me praktikat ndërkombëtare. Për më tepër, raporti thotë që procesi i zhvendosjes me vite të tëra dhe ndarja e komunitetit, nuk është në përputhje me standardet apo politikat e Bankës Botërore. Prandaj, në kushte të tilla, ne konsiderojmë si proces të dështuar ndërhyrjen e Bankës Botërore për ofrim të asistencës dhe monitorimit të këtij projekti të zvarritur sa e sa vite,” konkludoi Berisha.
Përderisa, Ragip Grajqevci, përfaqësuesi i banorëve të fshatit Hade, shprehu shqetësimet e banorëve, të cilët janë duke kërkuar zhvendosjen e menjëhershme të tyre, sepse sipas tij, tash e sa kohë janë duke dëgjuar vetëm premtime të pavërteta. Grajqevci u shpreh: “Për hir të zhvillimit të përgjithshëm ekonomik, ne jemi pajtuar që të shpallim tokat dhe pronat tona si zona me interes të veçantë ekonomik, mirëpo krejt ajo që ne kemi hasur janë manipulime dhe mashtrime të njëpasnjëshme nga ana e instuticioneve të përshira në këtë proces. Neve na janë marrë tokat bujqësore, na është marrë burimi i vetëm për mbijetesë, andaj, ne e kemi të vështirë mbijetesën në kushte të tilla. Ne kemi dërguar ankesa në shumë institucionet përkatëse, mirëpo vazhdimisht jemi përballur me injorancë dhe mospërfillje. Vlen të theksohet se në mënyrë që kostoja e ndërtimit të termocentralit të mbetet e ulët, barra është duke rënë mbi supet tona si banorë, duke na zhagitur ofrimin e kushteve minimale për mbijetesë. Nëse nuk gjejmë mirëkuptim për procedim në Kuvend dhe nuk ka buxhet për zhvendosje të menjëhershme, ne si banorë të mbetur të fshatit Hade, nuk na mbetet tjetër vetëm se të fillojmë të protestojmë para Bankës Botërore – përgjegjëse për vonesën e zhvendosjes – dhe para Qeverisë së Kosovës, injoruese e ankesave tona të numërta.”
Pas konferencës, përfaqësuesit e KOSID së bashku me banorët e Hades vazhduan tek mbledhja e Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor, ku si temë për debat e kishte edhe problemin e zhvendosjes së këtyre banorëve. Pas shumë debateve dhe prezentimeve të dëmeve të cilët banorët e pjesës së mbetur të fshatit Hade po ballafaqohen në vazhdimësi, Komisioni kërkoi që të përpilohet një kërkesë nga banorët në fjalë, në mënyrë që të procedohet me gjetjen e një zgjidhjeje.